Opinione Europa ime: Ç’është atdheu?

Europa ime: Ç’është atdheu?

Në një “Mauerparty” në një diskotekë me vulat “Lindje” dhe “Perëndim” shkrimtarja zvicerano-rumune Dana Grigorcea ka konstatuar, se atdheu është në radhë të parë vendi, në të cilin mund të vesh diçka në lëvizje.

 “Vij unë nga Lindja apo nga Perëndimi?” Këtë pyetje më shtronin studentët e mi në një “Mauerparty” në Saksoni. Unë vizitoja me ata, që ishin regjistruar në shkollën e lartë në kantonin e Zvicrës Graubünden, universitetin partner në Mittweida. Për organizimin e party-t në korpusin e universitetit një diskotekë ishte ndarë me mure stereopori në dy gjysma. Në njërën anë kishte muzikë “lindore”, këngë të lehta dhe marshe, në anën tjetër muzikë “perëndimore” të viteve ‘80-të, rock dhe pop dhe Peter Maffay. Në hyrje secilin e pyesnin, nga vinte nga Lindja apo nga Perëndimi? Përkatësisht personit i vihej një vulë lindjeje ose perëndimi në kyçin e dorës. Pas kësaj secili futej në gjysmën “e vet të sallës”. Në mesnatë me eufori të madhe muri rrëzohej, Lindja dhe Perëndimi përziheshin bashkë dhe të gjithë kërcenin me të njëjtën muzikë nga hitet aktuale.

Le të kthehemi në fillim. Kur mua më pyetën në hyrje, nga vij, për mua ishte e qartë: Unë kam lindur në Rumani, pra nga blloku lindor. Mua më vunë vulën e lindjes dhe shkova në gjysmën lindore të diskotekës. E shpenguar unë kërceja me muzikën e marsheve, tekstet patriotike të të cilave më bënin për të qeshur dhe më preknin njëkohësisht. Dikur pashë nga dera dhe më zuri syri studentët e mi, që ende të veshur me pardesy përpiqeshin të negocionin me rojen tek dera. Ata e kundërshtonin lojën me vulat dhe donin që për paratë që kishin paguar të kishin të drejtë të hynin si në gjysmën “lindore” ashtu edhe në atë “perëndimore” të sallës. “Ne vijmë nga Zvicra”, tha njëri prej tyre, me shumë seriozitet dhe pa shaka, “ne jemi neutralë”. Unë u kërkova atyre që të hyjnë në gjysmën perëndimore të diskotekës, sepse në mesnatë gjithsesi do të bashkoheshim sërish e do të kërcenim të gjithë bashkë.

“Çdo njeri ka identitete të ndryshme”

Por studentët u zemëruan me mua. Sepse unë kisha lejuar të më vinin vulën, përpara se ta kisha konsultuar këtë me ta. Unë bëja pjesë në grupin e tyre, dhe ne do të duhej që në frymën e zgjidhjes bashkarisht të problemit të ishim konsultuar për të gjetur një zgjidhje të kënaqshme për të gjithë.

Ky episod më bëri mua që ta ripërkufizoj konceptin atdhe: përtej vulave dhe muzikës nga vendlindja, atdheu është vendi, në të cilin mund të vesh diçka në lëvizje, në të cilin mund të kontribuosh si qytetar. Si nënshtetase e dyfishtë rumuno-zvicerane unë dua të citoj këtu përkufizimin për atdheun në zyrën e integrimit në qytetin tim Zyrih: “Çdo njeri ka identitete të ndryshme dhe atdhe të ndryshëm. (…) Detyra e Zvicrës është, që do të jetë atdhe. (…) Ne na duhen shumë zvicerane dhe zviceranë, çfarëdo që të jenë ata.”

Sa keq që Zvicra nuk është pjesë e BE-së. Në demokracinë zvicerane një qytetar i ri është zhvilluar në mënyrë të tillë, që mund të kontribuojë thelbësisht në diskutimin aktual që po zhvillohet në mbarë Europën lidhur me atdheun – p.sh., që atdheu në radhë të parë përfaqëson një bashkësi vlerash.

Gjuha çalon pas realitetit

Si zvicerane dhe falë atdheut tim rumun unë ndihem njëkohësisht edhe si qytetare e BE-së në situatë të privilegjuar, duke marrë përsipër një funksion ndërlidhës. Ne përjetojmë një krizë të rëndë, shoqëritë tona vuajnë nga vrulli marramendës dhe thirrjet e tregut të kohës. Ajo që duhet tani, është një kulturë diskutimi. Koncepti i atdheut është në diskursin publik të botës sonë të civilizuar i ngjashëm me atë të fesë apo besimit: Ka përulësi, po, e ka gjithmonë edhe shumë që janë në kërkim, ndërsa shumica e referuesve duan që këtë temë ta shpjegojnë menjëherë si me shkop magjik e si të vlefshme për të gjithë duke përdorur fjali të spikatura, e pastaj indinjohen me të madhe për injorancën e atyre, që nuk e ndjekin retorikën e tyre.

Flasin për vete duke pasur parasysh të gjithë, frika dhe nostalgjia karakterizojnë diskursin dhe megjithatë flasin me zë të lartë për një “ne” dhe për të mirën e të gjithëve, duke pretenduar se e kanë kuptuar këtë. Por në këtë kontekst gjuha çalon pas realitetit, mendohet në kategori diferencuese me koncepte të tilla si vendi i pritjes, atdheu i dytë, apo qytetarë të rinj.

Në trashëgiminë tonë kulturore ne gjejmë përkufizime bukur të sakta për atdheun. Një ndër trajtimet më të preferuar të mi për këtë temë është filmi klasik “Citizen Kane”. Atje rrëfehet historia e manjatit të medieve Charles Foster Kane, që nga fëmijëria e deri tek ngjitja sociale e politike e tij, dashuritë e tij marramendëse dhe lidhjet e tij deri tek vdekja në vetmi si një njeri jashtëzakonisht i pasur. Por se çfarë do të thotë fjala e fundit e Kanes, Rosebud, reporteri, që ne e ndjekim përgjatë gjithë filmit nuk do të arrijë ta mësojë kurrë. Sepse Rosebud ishte atdheu i dashur i Kanes, të cilin e shohim shkarazi vetëm në skenat e fundit, pak para se, ai në formën e një slite nga ditët e fëmijërisë bashkë me të tjera sende në pronësi të Kanes të vlerësuar si pa vlerë hidhet në zjarr.

Atdheu mund të gjendet kudo

Këtë ndjesi të atdheut unë e kam përshkruar edhe në romanin tim të fundit “Ndjenja primare e pafajësisë”. Unë tregoj për atë, që mund të përbëj atdheun dhe topografinë emocionale të tij. Rosebud merr tek secili formën e vet. Ndonjëherë unë zgjohem natën dhe kërkoj në errësirë tavolinën e lartë me një këmbë të gjyshes sime, në të cilën ndodhej një kanë me ujë dhe gotat. Uji në kanën e kristaltë vezullonte dhe lëshonte rreze të ndritshme nëpër mure. Gjithçka ishte e qetë dhe miqësore, unë sërish mund të shkoja të flija e qetë në shtrat.

Asnjëherë tjetër unë nuk e kam rigjetur qetësinë e atyre netëve. Njeriu rritet me atë ndjesinë primare të pafajësisë si prej të qenit i mbrojtur e naiviteti. Prej kësaj bëhesh dikush, që mund ta formësosh botën tënde sipas imazheve të parajsës së humbur: atdheu – mund të gjendet pothuajse kudo.

Dana Grigorcea, lindur më 1979, është një shkrimtare rumuno-zvicerane dhe filologe. Më 2011 ajo debutoi me romanin “Baba Rada”, që e shkroi në gjermanisht. Së fundi më 2015 është botuar romani i ri i saj “Ndjenja primare e pafajësisë”./DW