Bota Europa paralajmërohet për një valë të dytë pandemie, ekspertët: Është çështje kohe

Europa paralajmërohet për një valë të dytë pandemie, ekspertët: Është çështje kohe

Edhe pse të gjitha shtetet ngadalë po nisin të lehtësojnë masat kufizuese në Europë ekziston frika se gjatë verës do të shfaqet një valë e dytë e pandemisë.

Ekspertët paralajmërojnë se numri i ulët i rasteve të reja të të prekurve i kombinuar me temperatura të larta mund krijojë aq siguri tek njerëzit sa mund të mos ndjekin rregullat e distancimit shoqëror dhe këshillat e higjienës.

Bazuar në studimet e pandemive të mëparshme, ekspertët thonë se një valë e dytë ka të ngjarë të ndodhë edhe këtë herë. Kjo është arsye e mjaftueshme që Brukseli u kërkon qeverive të kenë kujdes.

Stefan de Keersmaecker, zëdhënës i Komisionit Europian është shprehur se shtetet anëtare të BE duhet të përgatiten për një valë të dytë të infektimeve dhe të shfrytëzojnë çdo mundësi për të përmirësuar sistemet ekzistuese të mbikëqyrjes. Brukseli nënvizon se mbetet e përkushtuar të punojë me Qendrën Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve për të siguruar që ka komunikim të vazhdueshëm rreth rrezikut. De Keersmaecker thotë se kjo është e rëndësishme për të siguruar që qytetarët të kuptojnë që valët e reja të infektimeve mund të ndodhin edhe nëse vala fillestare menaxhohet me sukses.

Shteteve Anëtare të BE-së u kërkohet të heqin kufizimet gradualisht dhe me kujdes, duke marrë parasysh të dhënat epidemiologjike. Sipas ekspertëve, çdo vend duhet të ketë njësi të mjaftueshme të kujdesit intensiv në gatishmëri si dhe vende në spitale për ata njerëz që vuajnë nga COVID19.

Ata paralajmërojnë se çështja nuk qëndron tek fakti nëse do të ketë apo një valë të dytë të pandemisë, por kur do të ndodhë.

Edhe OBSH shprehet se në këtë fazë duhet vigjilencë ekstreme pasi pandemia COVID-19 ende nuk ka mbaruar.