Bota “Europa t’i jetë mirënjohëse Turqisë”, Putin falenderon Erdogan

“Europa t’i jetë mirënjohëse Turqisë”, Putin falenderon Erdogan

Presidenti rus, Vladimir Putin ka falënderuar personalisht të premten homologun turk, Recep Tayyip Erdogan për marrëveshjet mbi eksportimin e grurit dhe për gazin.

Gjatë takimit kokë më kokë të zhvilluar në Soçi, Putin nënvizoi se gruri që po eksportohet nuk është vetëm ai ukrainas, por edhe ai rus, raporton agjencia e lajmeve “Tass”.

Ndër të tjera, kreu i Kremlinit deklaroi se Europa duhet t’i jetë mirënjohëse Turqisë për blerjen që ajo i bën gazit rus përmes gazsjellësit “Rrjedha Turke”.

“Për shumë vende janë veçanërisht të rëndësishme vendime të tilla, të cilat kanë ndodhur me përfshirjen tuaj të drejtpërdrejtë. Për këtë dua t’ju falënderoj”, theksoi Putin.

Më herët, drejtori i komunikimit i presidentit turk, Fahrettin Altun, tha se komuniteti ndërkombëtar nuk mund ta përfundojë luftën në Ukrainë duke injoruar Moskën.

“Është e vërtetë që disa nga miqtë tanë nuk duan që lufta të përfundojë. Ata po derdhin lot krokodili”, tha Altun për Reuters, duke shtuar se “disa po përpiqen në mënyrë aktive të minojnë përpjekjet e Turqisë”, pa specifikuar se kujt i referohej.

Komuniteti ndërkombëtar nuk mund ta përfundojë luftën në Ukrainë duke injoruar Rusinë. Duhet të mbizotërojë diplomacia dhe paqja”. tha Altun.

Presidenti rus Putin tha se “Rusia ka shumë projekte strategjike që po realizohen së bashku me Turqinë”, gjatë takimit me presidentin turk. “Rusia mezi pret të rrisë vëllimin e tregtisë me Turqinë”, shtoi ai. Putin vlerësoi gjithashtu homologun e tij turk Erdogan për rolin e tij në nënshkrimin e një marrëveshjeje historike për të zhbllokuar eksportet e grurit të Ukrainës.

Takimi i të premtes mes dy liderëve është i dyti brenda një muaji. Ankaraja ka shprehur mbështetje për Ukrainën, por nuk ka ndërmarrë sanksione ndaj Moskës.