Kryesore Europianët nuk e duan, Trump: Prandaj u zgjodha

Europianët nuk e duan, Trump: Prandaj u zgjodha

Në mbledhjen e parë të kabinetit të tij për vitin 2019, presidenti amerikan Donald Trump ka reflektuar për mungesën e popullaritetit në Europë.

Presidenti u tha gazetarëve se ishte i habitur nga shkalla e ulët e pëlqimit mes europianëve dhe se ishte puna e tij të kërkonte që Europa ta trajtonte Amerikën me më shumë ndershmëri.

“Unë prandaj u zgjodha”, tha Trump, duke përsëritur se vendet europiane duhet të vijojnë të rrisin shpenzimet në ushtri, një çështje që ai e ka përmendur shpesh kur flitet për financimin e NATO-s dhe mbrojtjen e sigurinë në Europë.

“Unë nuk duhet të jem popullor në Europë. Nëse do të isha i tillë, kjo do të tregonte se nuk po e bëja siç duhej punën time”, tha Trump.

Trump tha se Europa po e trajtonte Amerikën me pandershmëri, si në tregti, ashtu dhe në mbrojtje, por fajësoi presidentët e mëparshëm amerikanë që kishin lejuar që SHBA-të të paguanin më shumë për sigurinë e vendeve të tjera.

“Gjermania paguan 1 për qind të PBB-së, ndërsa duhet të paguajnë 4 për qind”, tha Trump, duke iu referuar shpenzimeve gjermane në mbrojtje.

Sipas një sondazhi të kohëve të fundit, besimi te presidenti Trump ka shënuar rënie të ndjeshme në vendet europiane. Vetëm 10 për qind e gjermanëve, 9 për qind e francezëve, 7 për qind e spanjollëve dhe 28 për qind e britanikëve, e shohin lidershipin e Trumpit nën një dritë pozitive.