Aktualitet Fabrika e shkrirjes në Kamëz, rrezik për banorët

Fabrika e shkrirjes në Kamëz, rrezik për banorët

Emisioni Fiks Fare solli mbrëmjen e së mërkurës rastin e banorëve të lagjes numër 4 në Bashkinë e Kamzës, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e një fabrike shkrirjeje në lagjen e tyre.

Ata thanë për Fiksin se ndihen të rrezikuar nga tymërat dhe ndotja. “Ku do t’i rrisim fëmijët? Për ata kemi më shumë frikë, se ne e kaluam tonën”, tha një e moshuar.

Të tjerë banorë pohuan se e kanë shumë pranë shtëpive fabrikën dhe kjo përbën një rrezik shumë të madh. “Tre gra kanë dashur të vrasin veten para disa ditësh, këtu para fabrikës, se vihet në rrezik jeta e fëmijëve të tyre”, tha një tjetër banor.

Të zhgënjyer nga indiferenca e baskisë, ata rrëfyen se nuk kanë vajtur fare të ankohen aty. “Nuk shkojmë të ankohemi se Xhelali është në krahun e tyre, pse të shkojmë kot? Kemi vajtur në polici dhe asgjë nuk është bërë”, tha një prej tyre.

Pas ankesës së banorëve, gazetarët e Fiksit kërkuan një përgjigje në Bashkinë e Kamzës. Këtu, gazetarëve iu kërkua të shkonin tek fabrika në orën 12:00, pasi në këtë orë do të kishte një takim mes banorëve, përfaqësuesve të Ministrisë së Mjedisit dhe Bashkisë.

Bashkë me banorët gazetarët pritën të zhvillohej takimi, i cili nuk u mbajt kurrë. I kontaktuar në telefon, drejtori i Urbanistikës në Bashkinë Kamëz, Arber Tola deklaroi se takimi u anulua sepse nuk kishin ardhur përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit, ndërsa punonjësit e bashkisë ishin paraqitur në orar.

Pas kësaj telefonate, gazetarët shkuan në Bashkinë Kamëz. Përgjegjësi i Zyrës së Urbanistikës, Armir Zere tha për Fiksin: “Bashkia ka dhënë këtë leje ndërtimi, pasi kjo është një zonë industriale, ndërsa përsa i përket ndotjes, për këtë duhet të verifikojë Ministria e Mjedisit”.

Zoti Zere iu vuri në dispozicion gazetarëve edhe një dokument të cilësimit të asaj zone, në të cilin thuhej se në atë zonë janë zero banorë.

Pas këtyre fakteve, emisioni investigativ kërkoi një përgjigje në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit. Drejtori i këtij institucioni, Julian Beqiri tha:

“Ne nuk kemi dhënë akoma një leje mjedisi për këtë fabrikë. Më datë 10.04.2017 është zhvilluar takimi me banorët dhe bashkinë, për këtë disponojmë dhe dokumente, por që të merret leje do kalojnë edhe disa procedura të tjera”.