Ekonomi Facebook humbet 23 mld dollarë, njoftoi se do të avantazhojë postimet e...

Facebook humbet 23 mld dollarë, njoftoi se do të avantazhojë postimet e miqve ndaj atyre të kompanive

Lajmi se Facebook do të ndryshojë mënyrën e  shfaqjes se faqes së parë, ose fushës së lajmeve siç njihet, ka shkaktuar humbje aspak të vogla për kompaninë.

Menjëherë pas këtij njoftimi, aksionet e Facebook në tregje ranë me të paktën 4%, duke i`u drejtuar kështu sesionit më të keq në më shumë se 3 muaj.

Facebook do t’i japë kështu prioritet postimeve të miqve dhe familjarëve, duke spostuar kështu njoftimet e kompanive, organizatave të ndryshme, apo miliona faqeve të ndryshme që qarkullojnë në rrjetin social numër një në botë.

Kjo politikë e re bie ndesh me interesat e kompanive, të cilat gjatë viteve të fundit kanë gjetur te Facebook një mundësi ideale marketingu.

Aksionet e Facebook ranë kështu të premten në 179.47 dollarë, një rënie me 8.29 dollarë për aksion.

Kjo përkthehet në një tkurrje të vlerës në treg me 23 miliardë dollarë, që është më shumë se e gjithë vlera që ka në treg rivali tjetër, Snapchat.

Gjatë 12 muajve të fundit, aksionet e Facebook në bursë janë rritur me plot 48%, duke katapultuar Mark Zuckerberg në vendin e 5-të të listës së më të pasurve të botës.