Bota Facebook Papers, rrjeti social përballet me një tjetër krizë të madhe

Facebook Papers, rrjeti social përballet me një tjetër krizë të madhe

Rrjeti social Facebook po përballet me një tjetër krizë të madhe.

Mediet kryesore amerikane, 17 në tërësi, publikojnë të ashtuquajturat ”Facebook Papers”, ku zbulojnë sekretet e rrjetit social të Mark Zuckerbergut.

Dokumentet e reja, më shumë se 10 000 faqe, ofrojnë një pasqyrë të asaj që po ndodh brenda kompanisë dhe procesin e saj të vendimmarrjes.

Zbulimet përfshijnë alarme të injoruara nga punonjësit lidhur me gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin si dhe kërkesat e tyre për të parandaluar politikanët dhe personat e famshëm në SHBA nga postimi i gjithçkaje që ata kanë dashur në rrjetet sociale, pavarësisht pajtueshmërinë me politikat e këtij rrjeti social.

Dokumentet zbulojnë gjithashtu ankesën e punonjësve për të ndaluar postimet që nxisnin dhunën në vendet në rrezik si Etiopia, por edhe raportet e vitit 2018 për trafikimin e qenieve njerëzore.

Dokumentet zbulojnë se si Shërbimet e Facebook janë përdorur për të përhapur urrejtjen  fetare në Indi, në shkurt 2020, që përkon me tensionet që shpërthyen në Nju Delhi gjatë të cilave vdiqën 53 persona.

Nënkomiteti i Senatit për Tregtinë ka thirrur për të dëshmuar drejtorin Ekzekutiv, Zuckerberg, që tashmë në dallim nga seancat e mëparshme do të duhet të japë përgjigje për shqetësime që vetë kompania e tij ka ngritur përmes qindra dokumenteve që janë bërë publike. Në diskutim po vihen jo synimet e Facebook, por “aftësia e saj për të menaxhuar dëmin potencial që mund të vijë nga platformat e veta të stërmëdha” apo edhe nëse “kjo media sociale është bërë aq e madhe saqë nuk mund të falimentojë”?

Nga ana tjetër, denoncues si Frances Haugen, që ka qenë pjesë e kompanisë ka deklaruar edhe se Facebook i toleron përmbajtje të caktuara që sjellin pasoja, sepse udhëhiqet nga fitimi, aq sa edhe stafin e ka minimimal për natyrën dhe volumin e sfidave që ka në këtë drejtim.