Aktualitet Familja shqiptare dëbohet nga Danimarka, aktivistët dalin në mbrojtje të tyre

Familja shqiptare dëbohet nga Danimarka, aktivistët dalin në mbrojtje të tyre

Një familje shqiptare është dëbuar nga Danimarka, pasi nuk plotësoi dokumentet për të përfituar azilin.

Mëngjesin e sotëm rreth orës 06:00 sipas orës lokale, familja Mirashi ishte në aeroportin e Kopenhagen në pritje për t’u nisur drejt Shqipërisë. Papritur aty mbërritën një numër aktivistësh për të drejtat e njeriut, të cilët mbështesnin familjen shqiptare. Ata u përballën me forcat e policisë duke kërkuar lejimin e qëndrimit të Danimarkë të familjes Mirashi.

Çifti ka tre fëmijë, dhe njëri prej tyre ka nevojë për kujdes mjekësor.

Familja Mirashi ishte ndaluar në një qendër të veri të Kopenhagen dhe kërkesa e tyre për azil u refuzua më 22 Mars. Autoritetet iu dhanë atyre 3 javë kohë për të aplikuar për leje qëndrimi të përkohshme. Gjatë kësaj kohe, familja shqiptare duhet të plotësonte të gjithë dokumentacionin për të përfituar leje qëndrimi. Mjekët konstatuan se djali i madh i çiftit ka probleme të shëndetit mendor dhe ka nevojë për kujdes të veçantë.

Mamaja e tij kishte deklaruar ata nuk mund të marrin kujdesin e duhur mjekësor për djalin e tyre në Shqipëri, kjo edhe për shkak të varfërisë dhe gjendjes së rënduar ekonomike, një arsye për të cilën u larguan nga vendi.

Pavarësisht se djali është 8 vjeç, ai nuk ka shkuar asnjëherë në shkollë. Në fakt mjekët janë të pasigurt nëse djali e di se kush është dhe sa vjeç është. Gjatë një ekzaminimi mjekësor, ai i tha mjekut se është 2 vjeç dhe është vajzë.

Megjithatë, dokumentacioni për gjendjen psikike të djalit nuk u arrit që të përgatitej në kohë për t’iu bashkangjitur dokumenteve për aplikimin e lejes së përkohshme të qëndrimit, duke bërë që autoritetet daneze të merrnin masa për dëbimin nga vendi të familjes Mirashi.

Oficerët e policisë që ndodheshin në aeroport mëngjesin e sotëm refuzuan që të komentonin për rastin. Vitin e kaluar, duke iu referuar rasteve të ngjashme, kreu i njësisë së deportimeve, Kai Poulsen, tha për median vendase “newtimes.dk” se ishte i pikëlluar për dëbimet nga Danimarka të familjeve emigrante, por që ai duhet të respektojë ligjin që është në fuqi.