Kryesore Fasoneria, si u kthye sërish Durrësi në vatër të koronavirusit

Fasoneria, si u kthye sërish Durrësi në vatër të koronavirusit

“Fasoneria e cila ndodhet pas meje në lagjen numër 13 Durrës është kthyer në vatrën e re të përhapjes së Covid-19. 16 nga 17 rastet aktive në qytetin e Durrësit i përkasin këtij subjekti”, deklaruan sot autoritetet shëndetësore që kanë mbyllur repartin e fasonerisë ku 17 nga 276 punonjësit e saj rezultuan pozitiv në tre ditët e fundit.

Ndërsa tamponët po u merren edhe punonjësve të tjerë apo kontakteve e personave të infektuar, të cilët janë vetëkarantinuar në shtëpitë e tyre së bashku me familjarët.

Zbulimi i vatrës së re të infeksionit erdhi në momentin që një nga punonjëset e fasonerisë shfaqi shenja të Covid-19. Pas analizave, punonjësja rezultoi pozitive, duke vënë në alarm autoritetet.

Ende nuk dihet se si ka mbërritur Covid-19 brenda këtij subjekti, por dyshimet e para bien mbi lëvizjen e administratës nga Kruja në Durrës, në fasoneri të tjera, të cilat menaxhohen nga i njëjti subjekt.

Shkalla e përhapjes në këtë zonë mjaft të populluar ende nuk dihet, por shërbimi epidemiologjik po përpiqet të gjurmojë kontaktet e secilit prej punonjësve të infektuar.