Aktualitet “Fast & Furious” në aksin Farkë-TEG, Policia Rrugore heq 9 patenta për...

“Fast & Furious” në aksin Farkë-TEG, Policia Rrugore heq 9 patenta për shpejtësi deri në 170 km/h

Unaza e Madhe e Tiranës në dhjetëra raste është përdorur nga fanatikët e garave me makina ose të rinj problematikë që tejkalojnë limitet e shpejtësisë së lejuar.

Në disa raste aksidente tragjike me viktima janë shënuar për shkak të shpejtësisë së lartë dhe policia Rrugore është angazhuar për të parandaluar të tilla ngjarje në këtë aks.

Gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme nga monitorimet me Poliscan, efektivët kanë konstatuar shpejtësi që variojnë nga 151 km/h deri në 170 km/h, në aksin Farkë-TEG, pjesa lindore e Unazës.

Duke qenë se shpejtësia maksimale e lejuar është 80 km/h, policia ka pezulluar 9 leje drejtimi për qarkullim me shpejtësi deri në 170 km/h.

Nëntë lejet e drejtimit janë pezulluar me afat 3 -12 muaj, ndërsa masat administrative kanë variuar nga 5 000 – 30 000 lekë të rinj, sipas numrit të shkeljeve të kryera nga drejtuesi i automjetit.

Po ashtu janë vendosur 51 masa administrative, për shkelje si: shpejtësi mbi normën e lejuar; përdorim celulari; mosvënie të rripit të sigurimit ose të treja këto shkelje së bashku.

Ndërkohë, monitorimi me mjetet inteligjente vijon edhe në akset e tjera rrugore të vendit.