Politika Fatmir Toçi shërohet, por Covid-19 i ka lënë pasoja në mushkëri

Fatmir Toçi shërohet, por Covid-19 i ka lënë pasoja në mushkëri

Ish-deputeti socialist Fatmir Toçi ka shpërndarë në Facebook për miqtë dhe të afërmit e tij lajmin se tashmë është shëruar nga Covid-19.

Toçi prej ditësh ishte shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” si pasojë e komplikacioneve dhe rëndimit të gjendjes shëndetësore pasi u prek nga koronavirusi.

Mirëpo teksa ndan lajmin e mirë se tashmë tamponi i fundit e nxorri negativ për Covid-19,  Fatmir Toçi shkruan se ky virus i ka lënë pasoja në shëndet, pasi do të vazhdojë të qëndrojë i shtruar në spital si pasojë e efekteve që koronavirusi i ka lënë në mushkëri.

“Pas 25 ditësh nga testimi i tamponit të parë, dje u krye testimi i tamponit të dytë, i cili rezultoi NEGATIV🙏Ky është një lajm i gëzueshëm, entuziast e shpresëdhënës, tashmë nuk ka më virus Covid-19 në trupin tim, edhe pse kjo e keqe nuk kaloi pa dhënë një goditje në mushkëri, të cilën e ka prekur pjesërisht, duke më detyruar të mbetem edhe për ca kohë nën kujdesin e jashtëzakonshëm të mjekëve dhe specialistëve të Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi” në Sauk të Tiranës, ku organizon e drejton me dorë të hekurt prof. Perlat Kapisyzi me stafin e tij të mrekullueshëm”.

Toçi vlerëson dhe falenderon mjekët e spitalit “Sheqfqet Ndroqi” për punën e palodhur që bëjnë me pacientet e infektuar dhe të shtruar në spital.

“Dua të mendoj, dhe besoj, që edhe në qendrat e tjera spitalore, të cilat janë angazhuar në luftën anticovid është i njëjti impenjim dhe të njëjtat rezultate. Nuk gjenden fjalët për të shprehur mirënjohjen dhe falënderimet për këta heronj të kohës sonë, që i janë përkushtuar me profesionalizëm dhe humanizëm jetës së të tjerëve, duke harruar shpesh edhe veten e tyre. Me ato që kam parë e shoh çdo ditë këtu, fjalët janë të varfra dhe nuk mund të shprehin as të njëmijtën e angazhimit njerëzor dhe të shpirtit të tyre fisnik, për t’ju shërbyer dhe për t’i shpëtuar jetët njerëzore. Me përulësi përpara tyre, që mu gjenden në ditët më të vështira të jetës sime dhe po më rikthejnë në jetë”.