Bota Fauci kundër Trump: Nuk ka prova shkencore se Covid-19 u zhvillua në...

Fauci kundër Trump: Nuk ka prova shkencore se Covid-19 u zhvillua në një laborator

Epidemiologu Anthony Fauci, si pjesa më e madhe e komunitetit shkencor ndërkombëtar nuk beson në mundësinë që koronavirusi të jetë prodhuar në një laborator kinez, siç pati deklaruar disa herë më parë presidenti Donald Trump dhe Shtëpia e Bardhë.

Përgjatë një interviste për National Geographic, një nga ekspertët më të njohur amerikan për sëmundjet infektive dhe anëtar i task-forcës qeveritare për koronavirusin, shpjegoi: “Nëse shikoni zhvillimin e virusit nga fillimi e deri më tani, është shumë e vështirë të thuash se mund të ishte manipuluar artificialisht ose me qëllim”.

Sipas tij, gjithçka tregon se ky virus ka evoluar në natyrë dhe bazuar në provat shkencore, nuk provohet teoria alternative se dikush e gjeti koronavirusin në natyrë, e solli në një laborator dhe pastaj doli aksidentalisht, prej aty.

Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo të dielën përsëriti qëndrimin e Shtëpisë së Bardhë, duke deklaruar se ka prova të rëndësishme që virusi vjen nga një laborator kinez.

Pekini i ka mohuar gjithmonë akuzat, edhe pse shumë shtete të tjera kanë shfaqur dyshime në lidhje me transparencën e autoriteteve kineze në menaxhimin e epidemisë në Vuhan.

Ndërsa, disa diplomat të ambasadës Amerikane në Kinë kishin vizituar një institucion të virologjisë disa herë në Vuhan, duke dërguar dy raporte në Uashington ku paralajmëronin mbi kushtet e sigurisë së laboratorit, i cili po kryente disa studime të rrezikshme tek lakuriqët.

Megjithatë, komuniteti shkencor është shprehur gjithmonë se se virusi e ka origjinën nga kafshët dhe jo nga një eprovetë laboratorike.