Kryesore Fauci pendohet, kërkon falje që akuzoi Britaninë për vaksinën

Fauci pendohet, kërkon falje që akuzoi Britaninë për vaksinën

Dr. Anthony Fauci ka kërkuar falje për kritikat e tij ndaj rregullatorëve britanikë të cilët kanë autorizuar vaksinën Pfizer duke shtuar se ai kishte “besim” në komunitetin shkencor të Mbretërisë së Bashkuar.

“Në të vërtetë ka pasur një keqkuptim, dhe për këtë, më vjen keq dhe ju kërkoj falje. Unë kam shumë besim si në komunitetin shkencor ashtu edhe në atë rregullator në Mbretërinë e Bashkuar”, tha Fauci për BBC.

“Unë kam besim. Doli gabim dhe kjo nuk ishte mënyra se si doja të shkonte”, shtoi ai.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive tha të enjten se rregullatorët e Mbretërisë së Bashkuar nuk kishin kontrolluar të dhënat e vaksinës me aq kujdes sa Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave.

“Ne i bëjmë gjërat në një farë mënyre në Shtetet e Bashkuara, ndoshta pak më ndryshe, jo domosdoshmërisht më mirë ose më keq, sesa ajo që është bërë në Mbretërinë e Bashkuar, dhe unë mendoj se këtu kam rrëshqitur. E bëra të dukej sikur njëri ishte më mirë se tjetri”, tha ai.

Megjithatë, Fauci i siguroi të gjithë se në fund të fundit, vaksina do të ishte e sigurt dhe efektive.

Ai shpjegoi se edhe në SHBA, kishte shumë tension lidhur me besueshmërinë, sigurinë dhe efikasitetin e vaksinave.