Aktualitet Fehmi Abdiu: Pse duhet hartuar një Kushtetutë e re

Fehmi Abdiu: Pse duhet hartuar një Kushtetutë e re

Juristi i njohur analizon problematikën që paraqet Kushtetuta e vitit 1998, e ndryshuar disa herë. Pse janë krijuar dy fizionomi të ndryshme dhe si duhet ndryshuar mentaliteti për t’u përshtatur me normat demokratike. Rëndësia juridike e marrëveshjes Rama-Basha dhe domosdoshmëria për norma të reja kushtetueseMarrëveshja e 18 majit zgjidhi krizën politike, por shtron nevojën e ndryshimeve në Kushtetutë që duhet të parashikojnë edhe situata të tilla delikate. Është ky mendimi i juristit të njohur Fehmi Abdiu, ish-deputet dhe ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, njëri nga hartuesit e Kushtetutës që është në fuqi. Sipas Abdiut, në Kushtetutë nuk u parashikua një situatë e tillë sikurse ndodhi gjatë muajve të fundit në Shqipëri dhe që solli një marrëveshje që përbën një akt shumë të rëndësishëm politik dhe juridik. Juristi rekomandon një komision me përfaqësues nga të gjitha partitë që të mbështetet nga një nënkomision ekspertësh, për të hartuar një Kushtetutë të re.

Po pse është e domosdoshme një Kushtetutë e re? Fehmi Abdiu sjell për “Albanian Free Press” argumentet. Dhe paradoksi: : Gjysma e Kushtetutës është e miratuar me referendum, gjysma tjetër me shumicë të cilësuar parlamentare.

Intervistoi: Alket Aliu

Marrëveshja e datës 18 maj riformatoi Qeverinë dhe pritet të ketë efekte afatgjata. Ju si e shikoni në aspektin ligjor dhe kushtetues?

Marrëveshja politike e datës 18 maj e arritur ndërmjet kryetarit të mazhorancës dhe kryetarit të opozitës hyri në histori si një akt shumë i rëndësishëm së pari politik dhe pastaj edhe juridik. Kjo marrëveshje do të ketë ndikimin dhe jehonën e vet për shumë kohë në vendin tonë.

Kjo marrëveshje, sikurse është bërë e ditur në vija të përgjithshme, i kalon kufijtë e një mirëkuptimi të zakonshëm ndërmjet këtyre grupimeve, për shkak të problematikave që përfshin dhe për shkak të kohës kur është arritur. Është pranuar në minutat e fundit, në një kohë ekstreme përpara fillimit të fushatës zgjedhore të partive politike.

Vlerësimet, komentet, debatet e bëra janë të shumëllojshme. Unë nuk mund të marr përsipër të analizoj aspekte të veçanta dhe as thelbin e saj, por ajo është vlerësuar në mënyra të ndryshme, e parë nga këndvështrime të ndryshme.

E parë në aspektin pragmatik apo e parë e lidhur ngushtë me interesa të grupimeve politike, është e natyrshme të vijnë vlerësime të ndryshme.

Për mendimin tim, pavarësisht nga debatet, ajo do të ketë shumë rëndësi jo për grupimet e kënaqura apo të pakënaqura të partive të ndryshme, por për gjithë elektoratin shqiptar që, siç është konstatuar, nga ajo ditë e këtej ndihet shumë më i qetë dhe i distancuar nga situata stresante që ndihej veçanërisht në javët që paraprinë 18 majin.

Natyrisht, probleme të karakterit kushtetues ka.

Po marr vetëm një aspekt: Emërimin e ministrave teknikë.

Çfarë problemi kushtetues paraqet caktimi i ministrave jopolitikë?

Në Kushtetutë flitet vetëm për një lloj ministri, por jo për disa lloje ministrash. Asnjë nen nuk përcakton dallimin ndërmjet një ministri politik dhe një ministri teknik. Konkretisht, shumë emërime janë kryer ditët e fundit nën emërtesën “ministër teknik”. Por Kushtetuta nuk flet për ministra teknikë. Çfarë kompetencash kanë këta ministra të porsaemëruar dhe që janë cilësuar si teknikë dhe jo politikë? A është normale që të kenë gjithë kompetencat që përcaktohet për një anëtar të kabinetit të Kushtetutë apo duhet të kryejnë funksione të kufizuara, duke qenë edhe të përkohshëm? A duhet konsideruar normale që këtyre t’u vëmë zv/ministra si “kujdestarë” që këta të mos gabojnë? Ja që edhe ky kapitull ka nevojë të saktësojë këto probleme.

Ju mendoni se në Kushtetutë duhet saktësuar edhe figura dhe të përcaktohen kompetenca të ndryshme për një ministër teknik?

Unë mendoj se ministër teknik nuk ka. Por, nëse hartuesit e Kushtetutës do ta çmojnë se, në situata të caktuara, të veçanta, sikurse ishte kjo e javëve të fundit, mund të ndodhë dhe do të ndodhë të ketë figura të tilla në kabinet, kjo duhet parashikuar në këtë kapitull. Duke qenë edhe të përkohshëm, mund të kufizohen edhe kompetencat, por kjo duhet të jetë e përcaktuar në Kushtetutë.

Në këtë marrëveshje është një pikë për reformën kushtetuese dhe një pikë tjetër për reformën zgjedhore….

Vihet re në një pjesë të kësaj marrëveshjeje, ku flitet për reformat, se janë parashikuar reforma kushtetuese, me fillimin e legjislaturës së re dhe po ashtu edhe reforma zgjedhore dhe ndërhyrje me reforma për problematika të tjera.

Parashikimi i një detyrimi të tillë të mazhorancës dhe opozitës për t’u marrë me reformën kushtetuese, në koncept mendoj se duhet të jetë i lidhur me një qëllim të mirë, për të parë, diskutuar dhe ndryshuar disa praktika kushtetuese që logjika ta do se janë sot problem për vendin. E shikoj këtë të lidhur ngushtë me pikën ku flitet për reformën zgjedhore, për të cilën shprehet njësoj në marrëveshje.

Me sa duket, personalitetet që janë marrë me këtë çështje e konsiderojnë të nevojshme, në emër të elektoratit të partive të tyre, të rishikojnë aspektet e Kushtetutës që lidhen me reformën zgjedhore. Logjika ma do që mund të jetë kjo, pasi problemet e reformës zgjedhore kanë qenë ndër më të debatueshmet kohët e fundit. Ashtu siç janë diskutuar e debatuar edhe problematika të tjera të rëndësishme që janë pjesë e Kushtetutës.

Pas kaq shumë ndryshimeve në Kushtetutë, a ka vërtet nevojë për ndërhyrje të tjera?

Kur flasim për reformë kushtetuese, mund të supozojmë, pasi nuk dihet se çfarë shqetësimi real kanë patur hartuesit e kësaj marrëveshjeje. Mendoj se shqetësimi i tyre mund të ketë të bëjë, së pari, jo me një vështrim tërësor të Kushtetutës, por për ta rishikuar në aspekte të veçanta. Kryesisht për reformën zgjedhore. Ashtu siç ndodhi me reformën në Drejtësi, që u shoqërua me ndryshime në Kushtetutë.

Ka ardhur koha për ndryshime kushtetuese thelbësore. Këto ndryshime duhet të tranformojnë mentalitetin tone, duke e përshtatur me normat demokratike.

Nëse do të mendohet dhe vlerësohet se reforma kushtetuese do të ketë të bëjë me sistemin zgjedhor dhe me probleme të tjera, unë dua të nënvizoj një fakt. Do të rekomandoja që parlamenti i ardhshëm, duke shpresuar të jetë në një nivel më të lartë cilësor se ky që shkoi, të kishte një tjetër mentalitet lidhur me procedurën për ndryshimet kushtetuese. Mendoj se procedura më e mirë, më demokratike, më e qartë dhe më transparente ishte ajo që është ndjekur me Kushtetutën që është në fuqi, me krijimin e komisioneve parlamentare me pjesëmarrjen e të gjitha partive parlamentare, që të ndjekë ecurinë e punës për përgatitjen e ndryshimeve, nëpërmjet aktivizimit të një nënkomisioni ekspertësh dhe specialistësh të fushës së të drejtës kushtetuese, ekspertë të partive edhe joparlamentare, të OJF-ve të ndryshme dhe ekspertëve të pavarur, njerëz të afirmuar përvoja e komisioneve nga viti 1991 deri në vitin 1998 për hartimin e Kushtetutës tregoi se, pavarësisht problemeve që patën, ato funksionuan derisa çuan në parlament një Kushtetutë serioze, të matur, të vlerësuar pozitivisht nga Komisioni i Venecias, pa debate e diskutime të shumta që shoqëruan ndryshimet e mëvonshme që i janë bërë kësaj Kushtetute.

Llogarisni vetëm debatet e shumta për ndryshimet kushtetuese që shoqëruan reformën në Drejtësi dhe ku Komisioni i Venecias, pa shkaqe të arsyeshme, u detyrua të merret disa herë me variantet shqiptare që çoheshin paralelisht nga mazhoranca dhe opozita.

Një nënkomision i ngritur për këtë çështje, do të kishte tagrin për të punuar brenda një kohe të arsyeshme, pa urgjencë, siç është bërë shumë herë, për të punuar me ekspertë, me specialistë dhe për të evidentuar shqetësimet që janë për t’u korrigjuar.

Çfarë efektesh kanë sjellë deri më sot ndryshimet në Kushtetutë?

Ndryshimet janë të shumta. Janë bërë në vitin 2007, 2008, 2012, 2015 dhe 2016. Një pjesë e mirë e tyre, sipas mendimit tim, janë rrjedhojë e kulisave. Nuk kanë qenë të nevojshme, janë bërë shumë të shpejtuara. Shembull tipik i interesave të partive, të titullarëve të tyre, janë ndryshimet e bëra në vitin 2008, që prishën shtyllën, boshtin e Kushtetutës, veçanërisht në pjesën për Presidentin e Republikës, dhe që krijuan prishje balancash midis pushteteve nëpërmjet reduktimit të kompetencave të Presidentit e të tjera si këto. Ashtu siç janë bërë shumë të shpejtuara, por me një farë logjike, ndryshimet e tjera që u pa e udhës të bëheshin për Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, që në Kushtetutë e kishim parashikuar si një institucion të pavarur, por në fakt bëmë një hap prapa, por që u quajt pozitiv, dhe u kthye në organ partiak.

Përfundimisht, të gjitha ndryshimet në Kushtetutë, përjashtuar këto të vitit 2016, janë të gjitha për t’u vënë në diskutim. Veçanërisht ato të vitit 2008.

Por ndryshimet e vitit 2016 prekën një sërë nenesh. A përshtaten këto me Kushtetutën e miratuar në vitin 1998?

Praktikisht, Kushtetuta jonë përbëhet nga dy pjesë që duhet thënë se nuk ngjasojnë. Dy pjesë që ndryshojnë me njëra-tjetrën. Nga njëra anë është Kushtetuta për gjithë pjesët e tjera, ajo që ne i themi “e ngurtë”. Kjo është serioze, e kontrolluar, e vlerësuar përgjithësisht pozitivisht nga Venecia dhe organizma të tjerë. Ka një frymë legjislative të vetën.

Nga ana tjetër, është një Kushtetutë e tipit “komentar”, ajo që u miratua në vitin 2016. Kjo pjesë është e ndërtuar me shumë detaje, shumë e hollësishme, për shkak se subjektet politike që luftonin kundër njëri-tjetrit nuk kishin besim dhe kanë arritur deri atje sa kanë parashikuar afate me ditë, me orë dhe me detaje të tjera, që nuk janë natyrë e normave kushtetuese, por duhet të ishin pjesë e legjislacionit të zakonshëm, të ligjeve që dalin në zbatim të tyre.

Pra, teknikisht janë krijuar dy fizionomi të ndryshme dhe unë këtë e shikoj si një problem për të ardhmen.

Por nuk janë vetëm këto. Nëse parlamenti do të mendonte për një reformë kushtetuese tërësore, unë do të isha plotësisht dakord.

Një reformë kushtetuese për të unifikuar pjesën e vitit 1998 me ndryshimet e bëra në vite?

Jo vetëm duhen unifikuar këto pjesë, por ky është problemi më i vogël.

Veprimtaria thuajse 20-vjeçare e Kushtetutës ka dëshmuar se ka edhe probleme të tjera. Sikurse e thashë edhe më lart, duhet ndryshuar sistemi zgjedhor dhe kjo ka të bëjë me Kushtetutën. Është deformuar pjesa që ka të bëjë me Presidentin e Republikës. Fola më sipër për disbalancën e krijuar me reduktimin e kompetencave, por po aq problematike është edhe mënyra e zgjedhjes së tij. Po ju jap një shembull. Një anëtar i Gjykatës së Lartë, me të drejtë është pranuar të zgjidhet nga Kuvendi me shumicë të cilësuar, ndërsa Presidenti i Republikës, pasi tallet parlamenti dhe kryetarët e partive kryesore me disa raunde ku luajnë sipas qejfit, duke i quajtur edhe të bëra kur nuk bëhen fare, pastaj Presidenti zgjidhet me 71 vota, me shumicë të thjeshtë. Kjo është për të qeshur.

Por ka probleme edhe më të mëdha.

Pas kaq shumë ndryshimeve në Kushtetutë, mendoni se mund të vazhdojnë të bëhen ndryshime të reja?

Në Kushtetutë janë bërë shumë ndryshime nga viti 2007 e në vazhdim. Me kaq shumë ndryshime, logjika ta do se do të ishte më mirë të hartohej një Kushtetutë e re, e cila duhet të kalonte sërish përmes referendumit popullor. Kjo pasi kemi një paradoks: Gjysma e Kushtetutës është e miratuar me referendum, gjysma tjetër me shumicë të cilësuar parlamentare.

Ju thoni që duhet të jenë ekspertët që duhet të hartojnë ndryshimet kushtetuese për të qenë të pakontestueshme. Por ajo që u vu re me ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 ishte se nuk u kontestuan vetëm draftet e politikës, por edhe të ekspertëve. Si kemi arritur deri në pikën që kontestohen edhe ekspertët?

Kjo është e lidhur me ndjenjën e mosbesimit që kemi ndaj njëri-tjetrit. Ne jemi ndarë më dysh. Secila palë vlerëson të mirë ata që ka në grupimin e vet politik dhe të këqij ata që i konsideron si kundërshtarë politikë. Kjo vlen edhe për ekspertët. Ekspertët e të drejtës kushtetuese janë të një natyre të veçantë dhe në të gjithë botën vlerësohen dhe trajtohen në bazë të eksperiencës, përvojës, titujve shkencorë, kontributeve që kanë dhënë dhe japin në këtë fushë, pse jo edhe për mendimet që japin në fushën politike. Ndërsa në Shqipëri, mund të jesh shkencëtar, por je i keq nëse je “i atyre” ose je i keq se je “i joni” për palën tjetër. Aq e vërtetë është kjo saqë, duke patur mungesë besimi, vitin që shkoi u grupuan dhe u thirrën vetëm ekspertë nga grupmosha e mesme dhe e re. Pa patur asnjë paragjykim për asnjërin nga ekspertët e thirrur në vitin 2016, mendoj se në atë ekspertizë duhet të ishin marrë, të ishin dëgjuar edhe mendime apo opinione të specialistëve të grupmoshës së tretë.

Por edhe ekspertët që u thirrën, me gjithë moshën e re, nuk shpëtuan nga paragjykimi dhe fryma e mosbesimit, e shfaqur nga të dyja palët, aq sa u detyrua Komisioni i Venecias t’u tregonte se në të dy draftet e paraqitura paralelisht nga mazhoranca dhe opozita, kishte elementë të mirë që duhet të merreshin në konsideratë për të ndërtuar një reformë të plotë. Dhe ishte e natyrshme, përderisa të dy draftet ishin hartuar nga juristë profesionistë. Venecia ua tha të dyja palëve: Mos i shikoni kaq me mosbesim mendimet e palës tjetër. Pra, u desh të ndërhynin ndërkombëtarët edhe një vit më parë për të pajtuar shqiptarët. Natyrisht, në të dyja draftet kishte gjëra që duheshin vlerësuar dhe u morën për bazë, sikurse kishte edhe pretendime që nuk qëndronin dhe u rrëzuan nga Venecia. Por edhe propozimet që u rrëzuan, nuk u rrëzuan sepse ishin gjëra që nuk qëndronin. Ato mund të ishin mendime shumë të mira, por që u gjykuan si të papërshtatshme në kushtet aktuale dhe mund të jenë padyshim shumë të vlefshme në një kohë tjetër, në kushte të tjera.

Në thelb, ndaj ekspertëve duhet të ekzistojë një sjellje dhe qëndrim shumë më qytetar.

Konkretisht, si u veprua me Kushtetutën e vitit 1998, që është aktualisht në fuqi?

Për Kushtetutën e miratuar në vitin 1998, punën e drejtoi komisioni parlamentar dhe u deshën disa vite për të arritur në variantin e miratuar. Komisioni, në të cilin bëja pjesë edhe unë, drejtohej nga i ndjeri Sabri Godo dhe Arben Imami. Komisioni u ngrit që në vitin 1992 dhe kishte një grup pune që solli shumë propozime dhe ide që u konkretizuan pjesë-pjesë, me gjithë dështimin e parë në vitin 1994. Në komision kishte përfaqësues nga gjithë partitë politike dhe nuk kishte ndarje politike në pikëpamje. Kjo pasi, në jurisprudencë, kur shtrohen problemet me objektivitet, vetë logjika nuk të lejon të jesh i anshëm.

Veç pjesës politike, u angazhuan edhe ekspertë të njohur të jurisprudencës në përgjithësi dhe të së drejtës kushtetuese në veçanti, pedagogë universiteti që sillnin në çdo mbledhje punën e tyre për çdo kapitull që diskutohej.