Shëndet Fëmijët dhe koronavirusi, në botë, mosha pediatrike mposht lehtësisht koronavirusin

Fëmijët dhe koronavirusi, në botë, mosha pediatrike mposht lehtësisht koronavirusin

Që prej shpërthimit të koronavirusit të ri në fund të vitit 2019, dhe përhapjes në të gjithë botën, shumë pak dihet lidhur me efektet klinike dhe epidemiologjike të tij tek mosha pediatrike. Revista e njohur shkencore amerikane, “The Lancet”, publikoi një studim për këtë, të bazuar në të dhënat e marra nga 3 spitale të ndryshme në Kinë.

Nga janari deri në mars u regjistruan 36 fëmijë të infektuar me Covid-19. Shumica ishin prekur nga koronavirusi për shkak të ekspozimit në zona me risk të lartë përhapjeje, 53% e pacientëve të moshës pediatrike patën pneumoni të moderuar klinike dhe 47% simptoma të lehta. 13 nga fëmijët e infektuar raportuan kollë të thatë dhe vetëm 4 prej tyre patën temperaturë të lartë deri në 38,5 gradë Celsius.

Deri më 28 shkurt të gjithë fëmijët ishin shëruar, duke treguar në disa raste edhe një nivel më shpejtë rikuperimi. Sipas “The Lancet”, 36 pacientët ishin trajtuar me “Interferon Alfa” dy herë në ditë, 14 prej tyre me shurup “Lopinavir-ritonavir” dy herë në ditë dhe 6 të tjerë patën nevojë për përkujdesje me oksigjen.

Vetëm në Kinë dhe Iran janë raportuar viktima te pacientët e moshës pediatrike, dhe numri i tyre është shumë i ulët. Ndërsa, Italia, vendi më i prekur nga pandemia pas Kinës, raporton për 5 fëmijë të infektuar, më i vogli vetëm 5muajsh. 3 prej tyre janë shëruar lehtësisht.