Aktualitet “Fëmijët nuk e dinë akoma se babai nuk jeton më…”

“Fëmijët nuk e dinë akoma se babai nuk jeton më…”

Familjarët e 35-vjeçarit shqiptar, Redian Abllanica, i cili humbi jetën në një aksident në Itali kërkojnë që të zbardhet e vërteta.

Bashkëshortja e tij, Serena Luicietto ka thënë për mediat se duhet të kryhet autopsia.

“Na thanë se hetimet janë mbyllur, por ne duam që të kryhet autopsia. Duket gjithçka e çuditshme. Në asfalt janë akoma shenjat e frenimit. Duam të kuptojmë se çfarë ndodhi. Nuk do ta varrosim tim shoq deri sa ta kuptojmë se çfarë ndodhi”, tha ajo.

Aksidenti që i mori jetën Redian Abllanicës ndodhi në mëngjesin e 4 Tetorit në zonën e Bessica-s. Sipas asaj që shkruajnë mediat, i riu humbi kontrollin e skuterit tip “Yamaha Majesty 400” me të cilin udhëtonte dhe përfundoi në një rrethrrotullim.

Shqiptari kishte qenë tek e ëma, e cila banonte në One di Fonte, ku edhe duhet të kishte kaluar natën në fakt, por zgjodhi të kthehej në banesën e tij. Kjo për shkak se ai donte të shoqëronte dy fëmijët, 3 dhe 6 vjeç, për në shkollë mëngjesin tjetër. Por fatkeqësisht nuk mbërriti kurrë në shtëpi.

“Fëmijët nuk e dinë akoma se babai nuk jeton më. Janë mësuar sepse shpesh ishte larg për punë dhe nuk dyshojnë asgjë. Unë jam takuar me një psikologe. Sëbashku vendosëm që për të mirën e tyre, t’ia japim lajmin kur edhe unë ta kem marrë disi vetën”, ka thënë ajo për mediat.

Hetimet mbi tragjedinë u janë besuar oficerëve të policisë së trafikut të Treviso që kryen hetimet e nevojshme. Për momentin, përfshirja e një automjeti tjetër në përplasjen që i kushtoi jetën e 35-vjeçarit përjashtohet.

Hetimet paraprake kanë arritur në konkluzionin se burri është përballur me rreth rrotullimin e fortë ndoshta për shkak të shpejtësisë së madhe dhe për pasojë ka humbur kontrollin e mjetit, duke mos i dhënë atij asnjë mundësi shpëtimi.