Sport “Fenomeni”: Kush është Ronaldo i vërtetë mes meje dhe CR7…

“Fenomeni”: Kush është Ronaldo i vërtetë mes meje dhe CR7…

Luis Nazario da Lima, i njohur nga të gjithë si Ronaldo, ka qenë protagonist i një interviste interesante të dhënë për “Sky Sport” gjatë emisionit “Zotërinjtë e Futbollit”.

E KALUARA

“Interi është në zemrën  time dhe do të mbetet përgjithmonë. Disa gjëra do t’i bëja ndryshe nëse do të kthehesha mbrapa, siç ishte vënia me shpatulla pas muri e presidentit Moratti për të vendosur të ardhmen time”, ka thënë “Fenomeni”.

“Në momentin që i kam kërkuar të shkarkonte Cuper-in, përndryshe unë do të largohesha, ai vendosi ta mbante. Do të kërkoja t’ia shpjegoja idenë time në një mënyrë tjetër. Gjithsesi, kanë qenë pesë vite shumë të bukur të jetës sime. Pesë vite në një qytet që kam mësuar ta dua, me njerëzit që më kanë dhënë shumë dashuri.

Kam një lidhje të veçantë me Milanon dhe Inter-in që nuk besoj se do të ndryshojë ndonjëherë. Dashurinë që kam marrë në Italia nuk e kam marrë në asnjë vend tjetër. Nuk ka dyshime për këtë. Tani që jam president, shembulli im është Moratti”. 

RONALDO

“Kush është Ronaldo i vërtetë mes meje dhe CR7? Kjo është një batutë që nuk duhet të bezdisë asnjë nga të dy. Sepse kur ma thonë mua, unë ndihem krenar dhe jam i sigurt që kjo ndodh edhe për atë. Le të themi se të jemi dy Ronaldo të vërtetë!”.