Aktualitet Ferizaj – Një shikim nga afërsia

Ferizaj – Një shikim nga afërsia

Letërnjoftimi i një qyteti

Nuk është e lehtë që nga ecja e rëndomtë, nëpër rrugët e qytetit tënd, të kapërcesh përditshmërinë monotone dhe aty për aty të fillosh të luash rolin e ciceronit. Kjo gjë, jo njëherë, më ka ndodhur, derisa miq të ndryshëm i kam shoqëruar në qytetin tim, gjatë vizitave të tyre. Sigurisht ata tek një gazetarë lokal mund të kenë parë personin e duhur, i cili për një kohë të shkurtë ua shpalon albumin jetësor të qytetit.   Mirëpo si në një teatër që nuk mund të shpalosh të gjitha dramat e realizuara ndër vite, ashtu ndihesh ngusht derisa fillon përzgjedhjen e dramave dhe personazheve historike të një qyteti, për t’i rrëfyer para miqëve. Vetëm pasi të jeshë ndarë nga miqtë të kujtohet se sa lëshimet i ke bërë dhe mund të të kaplon një ndjenjë pendimi dhe keqardhje për qytetin tënd. Nga një fotografi e mundshme kolor, të duket vetja se nuk ke nxjerr më shumë se një bardh e zi. Mirëpo kur i ke miqtë krijues poet nga të gjitha viset shqiptare, kjo detyrë vështirësohet edhe  më. Këto ditë fola shumë për qytetin tim , mbase si kurrë më parë, por sikur prap kam nevojë që me një shikim nga afërsia t’ua përkujtoj miqve, Agronit (Tufa), Olimbies (Velaj), Klitoni(Nesturit), Ahmetit (Selmani), Lulit (Hazirit), Namies (Beqiraj), Ndues (Uka), Ilires (Zajmi-Rugovës) , etj… se për Ferizajn nuk mjafton një vikend letrar për të mbledhur tërë nektarin nga lulet e Jezercit dhe as për të marrë ritmin e jetës së tij moderne. Katalogu i rrëfimeve është i gjatë, ai është si një libër i hapur që nuk përfshihet lehtë në mes të kopertinave.

Qyteti i epiteteve

Eshtë e pamundshme të shkruash për Ferizajn dhe t’i shmangesh epiteteve për të. Epitetet shpesh qëndrojnë mbi paradokset, duke e bërë edhe më joshës këtë qytet. Quhet qyteti më i ri  në Kosovë, kurse është i rrethuar me vendbanimet më të lashtë në histori. Miqëve u kam sqaruar se në të vërtetë themelet e tij  janë  vuar në vitin 1873, krahas ndërtimit të hekurdhës Selanik- Vjenë, por kam harruar t’iu them se figurina e Hyjneshës së Varoshit, e gjetur në fshatin Varosh, një paralagje jugore e qytetit, është e vjetër mbi 6 mijë vjet. Ose gjetjet, si ai i portretit të djaloshit, i gedhendur në gur, i shek II -të si dhe  mozaiku i Nerodimës, shek. të IV të erës sonë, flasin për civilizimin e hershëm të zonës.  Qyteti i Udhës së hekurit, shpejt ka filluar  zhvillimin  e tij të hovshëm, duke u shndërruar që nga  një kasaba turke,  në një qytet të zhvilluar industrial. Në kohën e mbretërisë Serbe-kroate-sllovene vihen bazat e urbane të tij, kurse pas LDB-së edhe ato të zhvillimit ekonomik. Ferizaj është qytet i të gjithëve. Askund si këtu banorët nga të gjitha viset e Kosovës  nuk e ndajnë jetën e përbashkët. Dikush për të keq mund të thotë se është qytet i belaxhinjëve të ikur nga qytetet tjera, por këtu promovohet tolerance dhe shkalla e vrasjeve është më e ulta në Kosovë. Ferizaj është qytet me dy emra, Ferizaj dhe Uroshevac dhe  që shtrihet në mes të dy kryeqytetve Prishtinës dhe Shkupit. Dyzimi sikur e ndjek qytetin tim. Bifurkacioni, një fenomen i rrallë në botë, ku uji i një lumi derdhet në dy detra,  shfaqet pikërisht në Ferizaj. Lumi Nerodime, degëzohet tek Mulliri i Nikës. Kafja që e pinin miqtë buzë kësaj rrjedhjeje duhet t’i ketë frymëzuar për ndonjë varg poetik, për të fuqizuar epitetin e Ferizajt si qytet I bifurkacionit. Unë i mbaja në fshehtësi vargjet e mia : “I bie përmes zemrës sime/në barkushen e majtë/merr udhë për në Detin e zi/nga e  djthta i lagë brigjet e Egjeut”. Edhe dy objektet e kultit në një oborr e fuqizojnë dyzimin religjioz. Kisha ortodokse serbe dhe Xhamia qëndrojnë bri njëra tjetrës. Është pamja më e përhapur në përpjekje për të treguar tolerancën ndër-religjioze edhe pse kjo tolerencë shpesh gjatë historisë nuk ka qenë edhe ndërmjet  dy etnive,asaj shqiptare dhe serbe.

Më vjen keq që miqtë e mi nuk kanë pasë mundësi t’i shohin arat e Ferizajt të mbjellura si dikur  me lulediej, ashtu siç kanë qenë në fëmijërinë time. Gjatë viteve të socializmit Ferizaj, ka gëzuar edhe epitetin si qyteti industrial. Në mbarim të viteve 40-ta, më 1947 është ndërtuar Fabrika e vajit e cila ka nxitur fshatarët të mbjellin lulediellin, që më vonë krahas edhe arave me sojë kanë dhuruar pamjet më të bukura me të verdhën  e tyre të artë. Sot fatkeqësisht nxënësit vetëm mund ta vizatojnë lulediellin si detyrë shtëpie, kurse poetët mund të betohen në besnikërinë  e tij ndaj diellit.

Asnjë turist sot nuk mund t’i shijojë produktet ferizajase, vajin dhe gjalpën  “Origjinal ”, që  për një kohë të gjatë kanë qenë konkurues në treg anembanë ish-Jugosllavisë si dhe kanë furnizuar Armatën jugosllave. As Fabrika e tullave prej dheu të pjekur, nuk nxjerr  më në treg prodhime, por tash importojmë armaturë me rrezatim nga Ukraina.  Që nga fillimi i viteve 60-ta, qytetarët kanë hekurosur rrobet me ujtinë ferizajase , të prodhuar në  Fabrikën  e veglave dhe  aparateve elektrike si dhe  kanë eksportuar  veglave mekanike , anëkend botës, të prodhuara në Ferizaj, së fundi edhe  me teknikën CNC.

Kam frikë se miqtë e mi do të mund të më konsideronin si një glorifikues apo nostalgjik të  socializmit nëse vazhdojë numrin e fabrikave të ngritura në mes të viteve 60-ta dhe të 80-ta. Zona e pasur me pyje të dendura shekullore e Jezercit,  me lisat që nuk përthekohen me dy duar njeriu, është shfrytëzuar si një resurs i pasur, për të ndërtuar Kombinatin e drurit, ku prodhoheshin  mobiljeve me dizajn bashkëkohor.  Kulmimi i zhvillimit të industrisë,  në Ferizaj dhe në veçanti ajo e përpunimit të metaleve arriti në fund të viteve 70-ta dhe në fillim të viteve 80 –ta kur u ndërtuan Fabrika e Tubave dhe  Fabrika e këmbyesëve të nxehtësisë. Tubat e Ferizajt vërshuan në tregun  e vendit, në atë të ish-Jugosllavisë si dhe në vendet e Bllokut socialist. Më vonë ata u eksportuan edhe  në SHBA. Në ndërkohë Kombinatit bujqësor iu shtua edhe një Fabrikë për përpunimin e frutave ekzotik, përpunimi i kikirikave dhe prodhimi i shkopinjëve të njelmtë. Kombinati bujqësor menaxhonte edhe punën e tokës së bukës, me mijëra hektarë. U ndërtua Silosi me kapacitete të mëdha të vendosjes së grurit si dhe filloi punën edhe Fabrika e bukës. Përkundër të gjitha këtyre fabrikave, përsëri krijohej përshtypja se ndarja  e të mirave nuk bëhej si duhej, andaj pakënaqësitë rriteshin dhe më 1981 e me vonë Ferizaj mori ehd eepitetin e qytetit të revoltës, sepse u organizuan dhjetra protesta. Filloi nevoja për një refletkim  të ri politik.

Mirëpo roli i ciceronit vështirë mbetet neutral dhe s’ka si të mos politizohet. Në fillim të viteve 90-ta filloi përmbysja e madhe. Pas  suspendimit të Statusit të Anatomisë së Kosovës dhunshëm nga ana e Serbisë,më 1989, nga këto fabrika u larguan nga puna të gjithë punëtorët shqiptarë dhe nëpër to u instaluan masat e administrimit të dhunshëm serbë. Afër 10 mijë punëtorë shqiptarë mbetën pa vendet e tyre të punës, kurse ekonomia e Ferizajt, nga një gjendje e mirëqenies ekonomike u përdhos dhe u dashtë të përballet me krizë të rëndë  sociale, krahas shtypjes nacionale.

Ferizaj qytet i Festivaleve

Ferizaj, e mbanë epitetin edhe të qytetit të Festivaleve, sepse organizon edhe  Festivalin e teatrove, i cili tash përmbushë 50 vjet, si një  nga Festivalet me të vjetra në Ballkan. Pastaj Festivalin e këngës “Kosovarja Këndon”, të filmit FerFilm, të Këngës për fëmijë,dhe  të Muraleve.   Shoqata e artistëve figurative “Zef Kolombi”, ka një traditë 50 vjeçare të organizmit,sikurse edhe SHKA “Kastriotët”. Klubi letrar “De Rada” i ndjek shoqatat tjera, për nga  vjetërsia duke u bërë bosht i organizimeve letrare dhe herë pas here duke botuar libra, antologji e studime të tjera.

Qyteti me dy emra, Ferizaj dhe Uroshevac

Historia e emertimit të qytetit vazhdon sot e asaj dite të nxis debate. Një dyzim i vazhdueshëm e ndjek këtë qytet. Në fillim ishte emri Ferizovik, nën besimin se një shqiptar Feriz Shashivari kihste ngritur Hanin  e parë në afërsi të hekurudhës që po shtrihej. Pastaj në vitet e 20-ta, të shek XX-të, kolonët serbë e emërtuan me ermin Uroshevac, në kujtim të një prisi të tyre mejetar Uroshit. Në dnërkohë shqiptarët vazhduan ta quajën vetëm si Ferizaj dhe shpesh në variantin popullor quhej si Tasjan nga deformimi i shqiptimit frëngjisht të fjalës  stacion. Ka zëra se qytetit ka mundur t’i ketë mbetë emri edhe nga ndërtimi i hekurudhës, si Ferovik, Ferovijë etj. Sidoqoftë dy emrat zyratrë të tij janë Ferizaj dhe Uroshevac.

Prej një qyteze me 24 mijë banorë në regjistrimin e vitit 1971, numri i banorëve të Ferizajt ka ardhë duke u shumëfishuar. Në vitin 1991 qyteti është dashtë të kishte rreth 70 mijë banorë, por nuk ka shënime të sakta, sepse me prishjen e ish- Jugosllavisë, nuk janë bërë regjistrimet e planifikuara të popullsisë. Tash Ferizaj konsiderohet se I ka rreth 150mijë banorë, kurse me regjistrimin e bërë pas Pavarësimit të Kosovës,më 2011, ai I kishte 108 mijë banorë, duke u radhitur i treti në Kosovë.  Në Ferizaj kanë jetuar rreth 10 mijë banorë serb ëtë cilët pas luftës së fundit janë shpërngulur për në Serbi. Numri më i madh i tyre kanë qenë kolonë të sistemuar në Ferizaj, në dekadat e para të shek.XX-të.

Përjetimi i diskriminimit dhe apartheidit

Krijimi i një baze të fuqishme ekonomike, në atë kohë pati reflektime  edhe në sferat tjera të jetës. Për shkak të shkallës së lartë të zhvillimit të  industrisë së përpunimit të metaleve dhe  të asaj të  drurit, në Ferizaj, u hap Shkolla e lartë teknike, ku dilnin kuadro profesionale për nevojat e këtyre Fabrikave. Në anën tjetër pati një zhvillim edhe të jetës kulturore dhe sportive. Mirëpo diskriminimi dhe apartheidi u bënë normë  e re e padëgjuar në historinë e njerëzimit. Prej një qyteti me zhvillim të hovshëm, vitet e okupimit klasik, e kthyen Ferizajn në një qytet të vendnumërimit. Fabrikat  u rrudhën, punonin vetëm me pak punëtorë serbë, prodhimtaria pësoi rënie të rëndë. Punëtorët shqiptarë u shkapërderdhen dhe filluan të shohin fatin e tyre të rrezikuar. Disa sish përvojat e tyre filluan t’i zbatojnë në mini-punëtoritë që hapën, disa filluan të merren me tregëti të imtë, disa me atë me shumicë, kurse numri më i madh i tyre ia mësyu vendeve perëndimore.

Jeta kulturore u stërkeq, mbijetoi nëpër oda dhe shtëpi duke u degraduar si në thellësi ashtu edhe në gjerësi. Arsimi gjithashtu u degradua rëndë duke bërë mësim paralel nëpër shkolla-shtëpi. Sporti u shua, mbeti të luhen lojëra nëpër livadhe . Në këtë  gjendje të zymtë, Ferizaj si mbarë Kosova përjetonte Golgotën e vet. Mund të vjetë përshtypja ime, por kam bindjen se këtë fazë kemi filluar ta lëmë në harresë. Sikur nuk duam të gërvishim ndërgjegjen tonë shoqërore. Ende sikur jemi në një komë se si u katandisëm deri në këtë gjendje, si iu hap dera shovenizmit serb. Organizimi ynë politik vononte, kurse ndërhyrja ndërkombëtare nuk shihej në horizont. Jeta kulturore dukej si një lule në buzë të tharjes. Kurse humnera kercënonte mbijetesën.

Miqtë nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova patën mundësi të dëgjojnë rrëfime për masakrat serbe ndër vite, për sfidat e kapërcimit të tmerrit si dhe për emrat që kanë lënë gjurmë të mbijetësës shpirtërore të shqipatrëve në këto hapësira. Emri i Gaspër Gjinit, u tha ndër biseda se do duhet të nderohet  me ndonjë manifestim që ende na mungon, pastaj figura e nacional-demokratit Gjon Serreçi, duhet të përjetësohet edhe në formë të debatit të organizuar, për rrjedhat politike dhe demokratike të popullit tonë. E xhelozova mikun Kliton që kishte arritë të bënte një dokumentar për aktoren ferizajase të vrarë nga forcat serbe, Adriana Abdullahu, emrin e së cilës e mban  Teatri i qytetit, i cili ndër vite ka realizuar  shfaqje me  vlera artistike duke marrë shpërblime në Festivalet me karakter jugosllav. Më mbeti peng që nuk arrita që miqve t’ua shpalosë portretin krijues të doajeëve të kulurës, jo vetëm ferizajase, para të cilëve përkulemi sot e asaj dite Nol Berishës, Qazim Dushkut, Matej Serreçit, Sadik Tafarshikut, Ismail Ramës etj. Sigurisht nuk mësohet të gjitha gjërat nga një vizitë!

E kisha problem miqëve,  të mi, gjithashtu t’ua shpjegoj funksionimin e  jetës paralele të viteve 90-ta, sikur e kisha problem t’ua jap edhe dimensionin real të periudhës së “Vllazërim –Bashkimit”, kur ishin zhvilluar edhe sportet. Klube sportive, si i futbollit, hendbollit basketbollit volejbollit, boksit , xhudos etj., sillnin rezultate. Më sukseset kulminante i ka arritë klubi i hendbollit, i cili për vite ka qenë  klubi më i mirë në Kosovë, si dhe në Jugosllavi ka bërë gara të denja. Ferizaj gjithashtu e ka gëzuar epitetin e qytetit të hendbollit. Xhudistët ferizajas, në vitet 80-ta kanë qenë edhe kampionë federativ.

U ndjeva mirë që më këmbënguljen e kryetarit të komunës Muharrem Svarqa, vizituam Brezovicën dhe nga afër i pamë pllajat gjelbroshe që gjatë dimrit shndërrohen në shtigje skijimi. Natyrisht nuk munguan lavdërimet se Brezovica ka qenë e përfshirë si mundësi rezervë për Lojërat Olimpike dimërore, në Sarajevë. Në ato lartësi shkëmbeheshin mendime për letërsinë si urë lidhëse në mes të popujve. Ahmeti na

fliste për përkthimin e Fjalorit Hazard të shkrimatrit serb Paviq, Agroni, fliste për mundësinë e themelimit të një Instituti të studimeve të letërsisë në Tiranë. Olimbia tregonte për gjendjen e katedrës së Albanologjisë në Beograd, për albanofobinë atje,  kurse kryetari Svarqa fliste per intervistën që kishte arritë ta bënte më desidentin kinez Bei Ling, gjatë qëndrimit në shtëpinë e shkrimtarit nobelist gjerman, Heinrich Böll, i cili është ndër të rrallët krijues që luftonte për demokratizimin e njërës nga oazat e fundit të komunizmit, siç është Kina.

Pajtoheshim të gjithë se duhet kohë për ta kuptuar njeri tjetrin, për  t’ua nxjerr rrënjën katrore shoqërive totalitare andej dhe këndej kufirit për të kapërcyer traumat dhe mentalitetin komunist.

Tranzicioni në kohë lirie

Pas fitorjes së lirisë u ndërrua çdo parametër. Qytetit iu dashtë të rehabilitohet pas një luftë të përgjakhsme me plot shkatërime dhe vrasje. Shumica e fabrikave u rihap, por tash në rrethana krejtësisht të reja. Punëtorët ishin plakur për një dekadë, bashkë me këtë fakt kishte ndryshuar edhe teknologjia. Kishte ndryshuar edhe tregu si ai i brendshmi po ashtu edhe ai i jashtmi. Fabrikat mezi filluan pjesërisht prodhimin. Tregëtia gufoi. Edhe biznesi privat filloi të zhvillohet me të madhe. Tash për tash në Ferizaj janë mbi 11 mijë biznese të regjistruara , nga lloje të ndryshme të degëve ekonomike. Është rikthyer zhvillimi i indutrisë metalike si dhe asaj të drurit, por mbi baza të organizimit privat. Fabrikat shoqërore në ndërkohë janë privatizuar, por jo me shumë sukses. Vetëm Fabrika e tubave dhe ajo e frutave ekzotike kanë arritë të ruajnë  profilet e tyre. Të tjerat janë tjetërsuar ose në supermarkete ose janë bërë vend i ndërtimit të rrokaqiejve.

Në ndërkohë Ferizaj ka pasë fat me disa situate të krijuara pas luftës me rrjedha ekonomike të fuqishme. Për shembull: Ndërtimi i Kampit ushtarak amerikan në Ferizaj ka qenë një shtytës ekonomik, pasiqë aty janë punësuar, ndër vite, deri në 7 mijë punëtorë. Pastaj hapja e mundësisë për punë në Irak dhe Afganistan ka bërë që gjendja ekonomike e familjeve ferizajase të përmirësohet shpejt.

Jo njëherë është thënë se Ferizaj është qyteti me potencialet më të mëdha për zhvillim ekonomik dhe kultuore në vend.  Ai sot  renditet në vend të dytë, pas Prishtinës, për kontributet financiare që i paguan shtetit. Duke qenë një udhëkryq i rrugëve tregëtare , Ferizaj sot konsiderohet qytet terminal për të gjitha zonat kosovare dhe shih për këtë ka shumë përfitime ekonomike si vend tranzit i mallrave dhe kapitalit. Në sytë e shumë analistëve dhe intelektualëve Ferizaj premton të shndërrohet në qytetin më modern të Kosovës, kur të kihet parasysh se mendohet së shpejti të modernizohet edhe hekurudha. Autostrada Ferziaj–Shkup është në përfundim e sipër dhe besohet se do t’i jep një shtytje zhvillimit ekonomik. Bizneset e Ferizajt janë më të zhvilluarat në rajon si ai i ndërtimit, i infrastrukturës dhe naftës. Me vite nga këto biznese është zgjedhur biznesi më i sukseshëm  në Kosovë. Planifikohet të ndërtohet edhe një Bankë  komerciale ferizajase. Këto gjëra besoj se shpejt i heton syri i çdo vizitori të rastit.

Në anën tjetër duke shikuar përtej numërimit,  klima kulturore Ferizaj karakterizohet më një qasje të hapur më shumë elemente të subkulturës si dhe më një frymë tolerante të gërshetimit të vlerave. Nuk e fsheh se u ndjeva i lehtësuar që miqtë nuk më pyetën për paradokse ferizajase. Pse Sahat Kulla është një surrogat urban dhe i mungon ora dhe si është e mundur të zhvilloni Festivalin e filmit dhe nuk keni kinema. Besoj se deri në takimin e radhës unë si ciceroni i pashpallur do të kem përgjigjje për këto paradokse.

Nuk është larg koha kur duhet të festohet  150 vjetori i themelimit, besoj se deri atëherë do ta kemi zyrën turistike me një grup ciceronësh të cilët më mirë se unë do t’i presin miqtë, qofshin ata edhe poetë.