Kryesore Fërkimet Rama-Haradinaj, Thaçi gjen rastin: Faleminderit Shqipëri!

Fërkimet Rama-Haradinaj, Thaçi gjen rastin: Faleminderit Shqipëri!

Në kulmin e një fërkimi mes dy kryeministrave, Edi Ramës e Ramush Haradinajt, edhe me një gjyq në mes, presidenti Hashim Thaçi përçoi mesazhin e një uniteti kombëtar me heqje kufijsh, duke përkujtuar atë që ndodhi 21 vite më parë në akademinë solemne “Faleminderit Shqipëri”.

“Në vitin 1999 ra përfundimisht kufiri më i blinduar në Europë, ai midis tokave shqiptare. Unë besoj që Kosova dhe Shqipëria shumë shpejt do të kenë një hapësirë pa kufi me një aktualitet të përbashkët dhe një të ardhme të përbashkët, pa kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe të gjitha hapësirave kudo që jetojnë shqiptarët në rajonin tonë në ombrellën euroatlantike”.

Thaçi foli me superlativa për Shqipërinë e asaj periudhe të vështirë për Kosovën, duke thënë se “Kjo është madhështia e Shqipërisë, ky është atdheu me përmasa të pakufishme shpirtërore dhe solidare. Kosova përjetë i është mirënjohëse Shqipërisë. Pa Shqipërinë Kosova nuk do të ishte e lirë, e çliruar dhe e pavarur. Shqipëria që mbrojti dhe mbështeti fuqishëm projektin e shenjtë të UÇK-së”.

“Shqipëria që e sfidoi gjenocidin e shteti të Serbisë në fushatën për spastrim etnik, ky është atdheu. Kosova përjetë i është mirënjohëse Shqipërisë që mbajti komandantin legjendar Adem Jasharin, Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, Luan Haradinaj e shumë luftëtarë të tjerë.

Falënderojmë Shqipërinë që na mbajti edhe neve të gjallëve”, ishte mesazhi i Thaçit, ku qartazi dallohej mesazhi i një qasjeje paqtuese në dy anët e kufirit, me shkak përplasjet mes Ramës e Haradinajt.