Extra Ferma “Deliu Family Tourism”, një risi e turizmit shqiptar

Ferma “Deliu Family Tourism”, një risi e turizmit shqiptar

Ferma “Deliu Family Tourism”, është një risitë e turizmit familjar në Shqipëri. Elkierd Deliu, që punon prej disa vitesh në sektorin e turizmit, tregon pse e ndërmori këtë nismë dhe çfarë ofron ferma për turistët që kërkojnë jo vetëm pushime, por edhe natyrë, ushqim të mirë dhe aktivitete sportive e kulturore.

Si të lindi ideja për këtë lloj të veçantë turizmi?

Elkierd Deliu: Duke qenë se prej disa vitesh punoj në sektorin e turizmit si udhërrëfyes turistik me lindi ideja që shtëpinë e prindërve që kemi në fshat ta përdorim dhe për një lloj të veçantë turizmi, turizmin familjar. Duke ofruar për fjetje turistëve dy dhoma.

Duke qenë se ushqimi ka një rëndësi kryesore, çfarë ofroni?

Produktet e prodhuara janë të gjitha të kopshtit tonë. Por edhe të fshatarëve të tjerë duke ndihmuar në zhvillimin e zonës dhe duke konsumuar prodhime vendi.

Gatimet janë gatime tipike. Duke përfituar dhe nga pemët e kopshtit tonë prodhojmë dhe reçel, komposto dhe lëngje naturale frutash.

Prodhime tipike që ua servirim turistëve zakonisht janë: lakrori me hithra, lakror me presh, lakrori me bime te egra (sipas periudhës, në pranverë me rreth 12 lloje bimësh), pulë me oriz, tavë Elbasani, qullë pule.

Cilat janë atraksionet pranë fermës?

Atraksionet kryesore afër fermës sonë janë 5 liqene të madhësive të ndryshme të cilët ndodhë në distanca nga 1 km në 4 km larg fermës. Dy shpella karstike që përbëjnë një atraksion të veçantë. Për të apasionuarit në ecje dhe në natyrë ka disa shtigje interesante ku ndërthuret ecja në pyll me pisha me dushk, ah, dhe me gështenja.

Në fermë organizoni festa dhe aktivitete?

Përveç festës së përvitshme të organizuar nga Bashkia Elbasan “Funar Bio Fest”, organizojmë dhe festa për turistë me muzikantët e zonës dhe muzikë folklorike. Gjithashtu organizojmë aktivitete për fëmijë kryesisht sensibilizimi në lidhje me rëndësinë që ka mbrojtja e natyrës dhe mbajtja pastër e saj. Kamping dhe si të jetojmë në fshat. Aktivitete të tjera janë shëtitjet me biçikleta, me kuaj, peshkim në liqen dhe atelie gatimi. Gjithashtu jemi në një fazë përgatitore për të sensibilizuar dhe banorë të tjerë të fshatit duke i formuar ato në pritjen e turistëve.

Ku ndodhet konkretisht ferma?

Ferma Deliu Family Tourism ndodhet në fshatin Mollagjesh rreth 25km larg qytetit të Elbasanit. Qetësia dhe bukuria e zonës shoqëruar me cicërimat dhe këngët e zogjve janë elemente që i shtojnë me tepër bukurinë e qëndrimit në fermën tonë.