Opinione Festa e mjekëve shqiptarë, rast i qortueshëm, jo i turpshëm

Festa e mjekëve shqiptarë, rast i qortueshëm, jo i turpshëm

Nga Ndue Lazri

Erdhën me lavdi një muaj më parë dhe u pritën me të gjitha nderimet e duhura, në respektim të iniciativës së tyre e të qeverisë shqiptare për të ndihmuar shtetin fqinj, Italinë, në një moment të vështirë. Por për fat të keq kthimi për në Atdhe nuk e ka përcjelljen aq të lavdishme nga ana italiane. Mirënjohja padyshim që mbetet, si nga populli italian, pacientët të cilëve ata u shërbyen duke rrezikuar shëndetin e jetën e tyre, ashtu edhe nga autoritetet shtetërore e lokale. Por nuk mund të mbetet pa qortuar festa e tyre në hotel, një akt i kritikueshëm, që 10 nga të tridhjetë mjekët e infermierët kanë kryer dje në darkë me rastin e mbarimit të misionit.

Do të thonim që ata kanë bërë një legerezza (veprim mendjelehtë), duke festuar me birrë e muzikë me volum të lartë no hotelin ku ishin në Brescia Kjo, siç shkruan gazeta autoritare “Corriere della sera” ka tërhequr vëmendjen e pronarit të hotelit, i cili ka lajmëruar forcat e policisë. Dhe policia ka bërë detyrën e vet. I ka gjobitur me gjoba deri në 500 euro, madje dy prej tyre janë denoncuar per rezistencë ndaj forcave të rendit.

Padyshim që një rast i tillë nuk mund të kalojë pa bërë zhurmë deri në organet shtetërore të shtetit italian. Këshilltari Gianpaolo Natali, i partisë “Fratelli d’Italia” e ka quajtur të ekzagjeruar ndërhyrjen e policisë dhe ka kërkuar që çështja të dërgohet në parlamentin italian per ta diskutuar këtë veprim ndaj mjekëve që kishin ardhur në ndihmë të Italisë.

Natyrisht, kemi të bëjmë me një veprim të qortueshëm të 10 mjekëve shqiptarë dhe jo veprim të turpshëm. Kolegëve të tjerë të grupit dhe misionit të tyre të suksesshëm nuk ua ul vlerën ky veprim i bërë pak në mënyrë alla shqiptarçe me muzikë me volum të lartë. Se ka qenë muzika e lartë që ka tërhequr vëmendjen.

E theksoj që ka qenë thjeshtë një veprim i qortueshëm e jo një turp siç e karakterizojnë shumë njerëz në komentet e tyre. Jemi tepër të nxituar për të hedhur menjëherë baltë mbi njerëzit tanë e mbi bashkëatdhetarët tanë. Të mos harrojmë që ata kishin një muaj në vijë të parë të luftës kundër Coronavirus, duke punuar me orare të zgjatura e në kushte të vështira. Kësaj i shtohet edhe malli për familjet e tyre. Ndaj kanë dashur ta festojnë momentin e kthimit, çka është e kuptueshme dhe legjitime, por mënyra ka qenë e qortueshme.

Ju urojmë kthim të mbarë pranë familjeve e suksese në vazhdimësinë e jetës dhe të aktivitetit të tyre profesional.

Gjithsesi misioni i tyre mbetet i suksesshëm.