Sport Festë në Milano, Inter & Milan, presion Juves

Festë në Milano, Inter & Milan, presion Juves

Dy ekipet e Milanos i kanë dërguar një sinjal të qartë Juventusit, se këtë vit duhet t’i bëjë llogaritë edhe me to.

Pas një merkatoje mjaft entuziaste, Interi dhe Milani kanë arritur të fitojnë me paraqitje bindëse, në javën e parë të Serisë A.

Dukej sikur çdo gjë ishte pjesë e një skenari. Si Inter që luante në “San Siro” ashtu edhe Milan që luante jashtë fushe ndaj Crotones kishin pothuajse të njëjtin fat në minutat e para.

Milan fiton një penallti, dhe VAR përdoret për t’i dhënë karton të kuq shkaktuesit të penalltisë, dhe vetëm një minutë më pas edhe Inter fiton një penallti me anë të sistemit VAR.

Zikaltrit e Spallettit e nisin vrullshëm ndaj Fiorentinës dhe arrijnë të shënojnë dy herë brenda 15 minutash me anë të kapitenit Icardi.

Në minutat në vijim, futbollistët zikaltër shpërdorojnë shumë raste, por arrin të gjejë edhe golin e tretë me anë të Perisiç, në minutën e 79.

Fitore pa probleme mori edhe Milani i Montella-s, në transfertën ndaj Crotones, e cila u dorëzua shumë herët.

Kuqezinjtë sulmuan që në fillim dhe në minutën e dytë fituan një 11 netërsh, i cili u shoqërua edhe me karton të kuq për mbrojtësin e Crotones.

Nga pika e penalltisë shënoi Kessie, ndërsa më pas Milani shfrytëzoi edhe epërsinë numerike për të shënuar edhe dy gola të tjerë në pjesën e parë, me anë të Cutrone dhe Suso.

Ndërkohë, Lazio e Strakoshës dhe Igli Tares dështoi të fitojë ndaj debutuesve të Spal, duke e mbyllur ndeshjen në barazim pa gola.