Sport Festë në Shijak! Erzeni mbetet në Superiore, Korabi nuk arrin të bëjë...

Festë në Shijak! Erzeni mbetet në Superiore, Korabi nuk arrin të bëjë mrekullinë

Festë në Shijak për qëndrimin e Erzenit në Kategorinë Superiore. Skuadra shijakase arriti të mposhte 2-1 Korabin pas 120 minutave lojë në finalen e play out-it të zhvilluar në “Niko Dovana”.

Një objektiv i arritur në “frymën e fundit” nga një skuadër që gjatë dy fazave të para u konsiderua “Hirushja” e Superiores, por që zhgënjeu në pjesën e dytë të sezonit duke rrezikuar madje edhe rënien direkt në javën e fundit.

Sa i përket kronikës së ndeshjes, Erzeni shënoi i pari me Sadikin që në minutë ne katër, por në të 20-tën Korabi u kundërpërgjigj me Tabakun.

Për minuta të tëra, pavarësisht epërsisë së shijakasve, ky rezultat mbeti i pandryshuar, aq sa për të përcaktuar fituesin u nevojit shtesa (dy kohë nga 15 minuta).

Në minutën e 97-të, Adnard Mehmeti realizoi golin e fitores për Erzenin. Futbollistët e Korabit bënë gjithçka kishin mundësi për ta çuar ndeshjen te penalltitë, por e patën të pamundur për të shënuar një tjetër gol.

Gjithsesi, Korabi duhet përgëzuar për rrugëtimin që pati në këtë sezon, teksa në play off-in e Kategorisë së Parë eliminoi Tomorin dhe Flamurtarin.