Aktualitet “Fiks Fare”, 18 të helmuar në Tropojë: E kemi nga uji i...

“Fiks Fare”, 18 të helmuar në Tropojë: E kemi nga uji i pijshëm

Ngricat në Tropojë nuk kanë sjellë vetëm mungesë uji në qytetin e Bajram Currit dhe fshatrat përreth, por edhe helmim për shkak të ujit të kontaminuar. Shqetësimi është ngritur nga banorët, të cilët kanë përfunduar në spital dhe thonë se, kjo ka ardhur për shkak të aktivizimit të pompave në rezervuarin e vjetër të Shoshanit, që sipas tyre ka shumë kohë pa u vënë në punë.

Pas shqetësimit të ngritur nga banorët, kamera e “Fiks Fare” shkoi në Spitalin e Bajram Currit për të parë gjendjen nga afër. Gjatë bisedës me mjekun roje, Qemal Sinani, jemi vënë në dijeni se janë shënuar disa raste me të vjella dhe me dhimbje barku, ndonjëherë të shoqëruara me temperaturë. Sipas tij, pacientët ia hedhin fajin ujit të pijshëm. Po ashtu, e njëjta situatë pranohet edhe nga qendra shëndetësore.

Pacienti Avdi Gosturani shprehet se është helmuar bashkë me dy fëmijët. Dyshimet i ka tek uji i pijshëm. Sipas tij, edhe në stinën e verës, kur është hapur ujësjellësi i Shoshanit, atij i është helmuar vajza. Të njëjtën gjë e dyshon edhe Rifat Matoshi, fëmijët e të cilit kanë të njëjtat shenja.

Drejtoresha e spitalit, Naile Baliaj thotë se, gjatë 48 orëve të fundit janë shënuar 18 raste. Ditën e parë janë shënuar 10 raste; 6 nga qyteti dhe 4 nga fshati; ndërsa ditën e dytë 8 raste të tjera; 6 nga qyteti dhe 2 nga fshati. Ajo thotë se ata janë ankuar për ujin e pijshëm, prandaj ka kërkuar të bëhen analizat. Të gjithë kanë të njëjtat simptoma, të vjella dhe dhimbje barku, por situata nuk është alarmante.

Pas gjendjes në spital dhe shqetësimit të ngritur, si nga banorët, ashtu dhe nga drejtoresha e spitalit, “Fiks Fare” u interesua pranë Ujësjellësit. Autoritetet thonë se, vërtet është vënë në funksion Shoshani, por faji nuk është i tyre, por mund të jetë për shkak të depozitave të pa klorifikuara në pallate. Bukurie Docaj, e autorizuar nga Ujësjellësi i Tropojës sqaron se, duke qenë se ka shteruar depozita në ujësjellësin e Valbonës për shkak të ngricave, janë detyruar të vënë në funksion atë të Shoshanit.

Sipas tyre, ai i Shoshanit është vënë në funksion edhe para disa muajsh dhe nuk ka pasur probleme. Sipas saj, ditën e vënies në funksion, uji është lënë i hapur për 4 orë para se të futet në tubacionet që shpërndahen nëpër qytet, ndërkohë që rregullorja e ka dy orë. Po ashtu është klorifikuar në maksimum, me qëllim që të shmanget çdo problem. Por për shkak të ngricave dhe mungesës së ujit, problemi mund të ketë ardhur nga depozitat e pallateve, në të cilat Ujësjellësi nuk mund të ndërhyjë.

Ajo këmbëngul se, edhe sipas analizave paraprake, uji është i pastër. Për të mësuar më shumë mbi cilësinë e ujit, “Fiks Fare” shkoi edhe pranë Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik, të cilët kanë nisur verifikimet e këtyre rasteve.

Violeta Imeraj, përgjegjësja e Higjienës në DRSHP thotë se, shqetësimi është ngritur si nga spitali, po ashtu dhe nga banorët. Menjëherë është ngritur një grup pune, që për dy ditë ka marrë mostra uji në zona të ndryshme të qytetit, si pranë banesave, ashtu dhe pranë institucioneve, shkollave, kopshteve dhe janë dërguar në laborator për analiza. Analizat e para nuk tregojnë nivel të lartë bakterogjen, por duhen pritur konkluzionet përfundimtare që dalin të enjten.

Dy ditë pas marrjes së mostrave, Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik në Tropojë ka nxjerrë analizat e ujit të pijshëm, për të cilin qytetarët dyshojnë se ka shkaktuar helmimin. Drejtori Avni Boshnjaku deklaroi për “Fiks Fare” se analizat fiziko-kimike dhe bakterologjike kanë dalë të pastra. Por, ai tha se nuk i lejohet t’i vinte në dispozicion këto analiza, ndërkohë që mbetet ende për t’u verifikuar se cili ka qenë shkaku i helmimit i të paktën 18 qytetarëve, të paraqitur për trajtim në Spitalin e Bajram Currit.