Sport Finalja e 10 e Liverpool në Champions, ja pse Jurgen Klopp meriton...

Finalja e 10 e Liverpool në Champions, ja pse Jurgen Klopp meriton “notën 10”

Legjenda e një prej klubeve më mitike në historinë e futbollit botëror rritet. Liverpool-i nuk është as qyteti më gjigant në Angli, por me kalimin e viteve ka fituar një nga skuadrat më të jashtëzakonshme.

Po flasim për një nga skuadrat më karizmatike që çdo popullsi mund të ëndërrojë, duke kapërcyer një epokë të errët, jo aq të largët, saqë i bëri të kuqtë të frikësoheshin për qëndrimin në elitë.

Ata janë kthyer fuqishëm, sidomos nën drejtimin e Jurgen Klopp, dhe po bëhen gati të përjetojnë finalen e dhjetë në Champions League, kompeticionin më të lartë të Europës për klubet, diçka me të cilën vetëm pak të privilegjuar mund të mburren.

Liverpool arriti në finalen e Ligës së Kampionëve, e 10-ta në historinë e tij, duke u bërë skuadra e katërt me dy shifra, pas Real Madrid (16), Bayern Mynih (11) dhe Milan (11).

Prej tyre, të kuqtë anglezë kanë fituar gjashtë dhe në Paris do të kërkojnë titullin e shtatë. Meritat e veçanta i takojnë trajnerit Jürgen Klopp, i cili në katër sezone do të luajë finalen e tretë. Ai humbi me Real Madridin në Kiev (3-1) më 2018 dhe fitoi në “Wanda Metropolitano” kundër Tottenhamit (2-0) më 2019.

Edhe për Kloppin mbrëmja e Vilareal ishte për rekord: për trajnerin gjerman është finalja e katërt e Champions League, si Alex Ferguson, Carlo Ancelotti dhe Marcello Lippi. I njëjti numër finalesh sezonale për dy fenomenet e sulmit, Momo Salah dhe Sadio Mané, të cilët u përballën edhe në aktin e fundit të Kupës së Afrikës. Thiago Alcantara është gati të arrijë rekordin e pabesueshëm të Clarence Seedorf; ish-mesfushori holandez, në fakt, ishte i vetmi lojtar që kishte fituar Champions League me tre skuadra të ndryshme (Ajax në 1995, Real Madrid në 1998, Milan në 2003 dhe 2007). Spanjolli mund të ketë sukses nëse Liverpool triumfon në finalen e Parisit, pasi tashmë ka ngritur trofeun me fanellat e Barcelonës (2011) dhe Bayern Munich (2020).

Ja të gjitha finalet e Liverpool-it në Champions:

1977: Liverpool-Borussia Monchengladbach 3-1 (Romë)

1978: Liverpool-Bruges 1-0 (Londër)

1981: Liverpool-Real Madrid 1-0 (Paris)

1984: Liverpool-Roma 1-1 (4-2 penallti) (Romë)

1985: Juventus-Liverpool 1-0 (Bruksel)

2005: Liverpool-Milan 3-3 (3-2 penallti) (Stamboll)

2007: Milan-Liverpool 2-1 (Athinë)

2018: Real Madrid-Liverpool 3-1 (Kiev)

2019: Liverpool-Tottenham 2-0 (Madrid)