Bota Financial Times: Sulmi terrorist në Barcelonë rrezikon turizmin në Spanjë

Financial Times: Sulmi terrorist në Barcelonë rrezikon turizmin në Spanjë

Reputacioni i Spanjës si një destinacion i sigurt për udhëtarët është tronditur nga sulmi në qendër të Barcelonës, i cili ka shënjestruar një nga vendet më të njohura turistike të qytetit, shkruan Financial Times.

Sulmi në bulevardin e famshëm Las Ramblas të enjten erdhi në kulmin e sezonit veror, teksa Spanja ndodhej në mes të një bumi turistik – të vdekurit dhe të plagosurit vinin nga 34 vende.

Aksionet e kompanive spanjolle që varen nga sektori i turizmit kanë rënë të premten. Grupi ajror IAG, zinxhiri i hoteleve Melia dhe operatori i aeroportit Aena humbën 2 për qind të vlerës së tyre.

Manel Casals, sekretari i përgjithshëm i shoqatës së hotelierëve të Barcelonës, tha se anëtarët e tij kishin parë raste “të izoluara” të udhëtarëve që anullonin rezervimet për shkak të sulmeve, por theksoi se ishte shumë herët për të vlerësuar dëmin. “Për fat të keq, ne po mësohemi gjithnjë e më shumë me këto lloj sulmesh në qytetet evropiane”, tha ai.

Përvoja tregon, megjithatë, se dinamika që nxiti një rritje të mprehtë të vizitorëve në Spanjë gjatë viteve të fundit, tani mund t’i kthehet kundër vetë vendit.

Destinacionet dikur të njohura si Tunizia, Egjipti dhe Turqia humbën pjesën e tregut, që u orientua drejt Spanjës, teksa udhëtarët u larguan nga destinacionet e goditura nga sulmet terroriste. Franca gjithashtu pësoi një rënie të vizitorëve pas sulmeve vdekjeprurëse nga militantët islamikë: numri i turistëve në Paris, për shembull, ra me 1.5 milion midis 2015 dhe 2016.

Sipas një sondazhi në raportin më të fundit të ITB (Travel Trends), siguria po del si një faktor vendimtar në zgjedhjen e destinacioneve të pushimeve. Sipas sondazhit, afro gjysma e turistëve tani kanë “shqetësime serioze të sigurisë ” dhe se dy të tretat thanë se do të udhëtonin vetëm në destinacionet ndërkombëtare që ata i perceptojnë si të sigurt. “Humbësit e mëdhenj këtë vit [2016] pas vuajtjes së sulmeve terroriste ishin Turqia, Franca dhe Belgjika” përfundoi raporti.

Spanja, në të kundërt, ishte drejt një viti rekord të ardhjeve turistike. Numri i vizitorëve në pesë muajt e parë të vitit u rritën me 12 përqind krahasuar me vitin e kaluar, në 28 milion. Alvaro Nadal, ministri i turizmit i Spanjës, vlerësoi në qershor se jo më pak se 38 milion turistë do të vizitojnë vendin gjatë muajve të verës, një rritje prej 9 përqind nga viti i kaluar.

Rritja e numrit të turistëve ka qenë shumë e dobishme për një sektor që përbën 14 përqind të prodhimit të brendshëm bruto dhe një përqindje të ngjashme të punësimit total. Por bumi – së bashku me lajme të përhapura rreth sjelljes së keqe midis vizitorëve më të rinj – ka ngjallur gjithashtu polemika, veçanërisht në Barcelonë. Më parë këtë vit, kryebashkiaku i majtë i qytetit zbuloi masat për të frenuar turizmin, duke përfshirë ndalimin e hoteleve të reja dhe apartamenteve turistike në qendër.

Në korrik, sulmuesit e maskuar sulmuan një autobus turistik në kryeqytetin katalanas, duke nxitur artikujt e faqes së parë në mediat britanike dhe spanjolle. Udhëtarët u lemerisën. Të enjten, industria e turizmit të Barcelonës – dhe Spanja në përgjithësi – morën një goditje pafundësisht të ashpër.