Aktualitet Financimi 13.25 milionë euro, Lezha furnizim 24 orë me ujë të pijshëm

Financimi 13.25 milionë euro, Lezha furnizim 24 orë me ujë të pijshëm

Qyteti i Lezhës edhe disa nga fshatrat përreth saj, pjesë të bashkisë së re nga, tashmë do të kenë furnizim 24 orë me ujë të pijshëm.

Pas një investimi prej 13.25 milionë eurosh, bashkëfinancim i qeverisë shqiptare me qeverinë zvicerane, Bankën Gjermane për Zhvillim dhe Bashkimit Europian, në qytetin e Lezhës ka përfunduar rehabilitimi tër​sor i rrjetit të ujësjellësit të Lezhës.

“Qyteti i Lezhës bashkë me fshatrat përreth furnizohet 24 orë me ujë të pijshëm. Projekti përfshin ndërtimin e veprave të marrjes së ujit, ndërtimin e rrjetit kryesor të ujësjellësit, rezervuarët e qytetit. Kemi vendosur matësit shtëpi për shtëpi dhe monitorohet me sistemin Scada. Kemi në projekt të realizojmë ujësjellësin e Shëngjinit dhe një studim fizibiliteti për fillimin e investimeve në fshatra,” tha drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellësit.

Në inaugurimin e investimit ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, zëvendës ambasadorja e Gjermanisë, Anke Holstein dhe ambasadori i Zvicrës, Christoph Graf.

Kryeministri Rama garantoi se qeveria do të vazhdojë investimet në ujësjellës për të siguruar furnizimin me ujë të pijshëm deri në fshatrat më të largët të bashkisë së re, por nënvizoi se investimet në ujësjellës do të mbështetjen mbi performancën dhe ecurinë e reformës së ujit.

“Me shumë respekt për punën e kryer nga Ndërmarrja e re e Ujësjellësit, një nga shembujt pozitivë që kemi në territorin e Shqipërisë përsa i përket ndarjes së politikës nga logjika e shërbimit për konsumatorin, dua t’i siguroj të gjithë banorët e Lezhës, pa dallim, se ne do vazhdojmë këtë punë. Por ndërkohë dua po ashtu që të rinënvizoj domosdoshmërinë që sëbashku, qeveria, bashkia, ndërmarrja të çojmë përpara reformën, sepse, nëse ky investim është bërë sot, por nuk mbështetet financiarisht, në kuptimin e pasjes së një bilanci të shëndetshëm të përvitshëm, duke paguar të gjithë ata që konsumojnë, atëherë jo vetëm që nuk shkojmë dot më tutje, për ta përfshirë të gjithë hartën e bashkisë së re në furnizimin 24 orë, por përkundrazi do të humbasim hap pas hapi edhe vetë këtë investim kaq të çmuar që është bërë,” u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Edhe zëvendës ambasadorja e Gjermanisë, Anke Holstein, e vlerësoi të suksesshëm bashkëpunimin dhe mbresëlënës punën e bërë. Ajo gjithashtu shprehu mbështetjen për reformën në sektorin e ujit, të cilën e konsideroi të domosdoshme.

“Rreth 13.4 milion euro janë investuar në këtë projekt. Banorët e Lezhës dhe zonave përreth kanë tani 24 orë ujë në ditë, me presion të përshtatshëm. Dëshiroj t’ju siguroj juve zoti Kryeministër dhe ministër Gjiknuri, mbështetjen tonë të plotë në reformën e ujit që keni ndërmarrë. Masat e tanishme për t’i dhënë fund informalitetit janë të nevojshme, po aq sa edhe reformat në kuadrin ligjor, institucional dhe financiar,” deklaroi zëvendësambasadorja Holstein.

Ndërsa ambasadori zviceran Christoph Graf u shpreh se ky është një investim që mbështetet në performancë.

“Kjo është një qasje që bazohet në performancë, pastaj vijnë investimet. Kjo është një qasje që mendoj se po implentohet edhe në reformën e ujit dhe ne do të vazhdojmë me projektet në qytete të tjera në jug dhe në qendër të Shqipërisë”.