Bota Finlanda dhe Suedia aplikojnë zyrtarisht në NATO, por Erdogan iu pret sërish...

Finlanda dhe Suedia aplikojnë zyrtarisht në NATO, por Erdogan iu pret sërish entuziazmin

Recep Tayyip Erdogan

Finlanda dhe Suedia dorëzuan sot edhe zyrtarisht aplikimin e tyre për të qenë pjesë e NATO-s. Aplikimet iu dorëzuan sekretarit të përgjithshëm të aleancës Jens Stoltenberg nga ambasadorët e dy vendeve gjatë një takimi në Bruksel.

“Aplikimi që bëtë sot është historik. Aleatët do të ndërmarrin menjëherë hapat e radhës. Jemi të vendosur për të arritur në rezultate të shpejta”, tha Stoltenberg.

Vendimi u mor pas shtimit të rrezikut për sigurinë e kontinentit nga sulmi rus në Ukrainë. Megjithatë, anëtarësimi i dy vendeve po bllokohet nga Turqia dhe këtë e konfirmoi sërish presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, këtë të mërkurë në parlament, i cili refuzoi kërkesën për negociata nga Stokholmi.

“Donin të vinin që të hënën për të bërë pazar. Iu thashë, mos u lodhni, nuk ka nevojë. Sjellja e tyre është e qartë. Terroristët vazhdojnë të shfaqen në Suedi me gjithë leckat e tyre”.

Sipas Ankarasë, dy vendet duhet të reshtin së qeni strehë të sigurta për kurdët e konsideruar si terroristë. Ndërsa presidenti rus Vladimir Putin tha se Rusia do të kundërpërgjigjet, pasi të vlerësojë kërcënimet e reja që mund të dalin pasi NATO të afrojë infrastrukturën ushtarake në Finlandën fqinje.