Sport “Firmos me Fenerbahçen”, në Turqi janë të sigurt për ish-sulmuesin e Teutës...

“Firmos me Fenerbahçen”, në Turqi janë të sigurt për ish-sulmuesin e Teutës e Besës

Vedat Muriqi duket se do të shohë veten në sezonin e ardhshëm duke luajtur për objektiva krejt të ndryshëm nga ata që ka pasur në këto vite në kampionatin turk ku ka veshur fanellën e Giresunspor, Gençlerbirligi dhe Rizespor.

Sipas mediave turke, sulmuesi i Kosovës tashmë është kthyer në objektivin kryesor të sulmit të gjigantëve të Fenerbahçes dhe pritet që shumë shpejt të hedhë firmën në kontratën me këtë klub.

Muriqi filloi karrierën te Liria në Kosovë, për të vazhduar më pas në kampionatin shqiptar, ku në një sezon veshi fanellën e Teutës dhe Besës, duke shënuar 4 gola në 31 ndeshje, ndërsa ishte pjesë edhe e Shrpesave të Shqipërisë.

Por ai pastaj vendosi të largohej nga vendi ynë për të filluar rrugëtimin e tij në kampionatin turk ku ka lënë mbresa me paraqitje të shkëlqyera. Konfirmimi erdhi në këtë sezon, ku bomberi i Kosovës ka realizuar 11 gola në kampionat, duke qenë një nga emrat më të spikatur jashtë grupit të atyre që janë pjesë e klubeve të mëdha.

Mediat turke kanë raportuar se ekziston akordi mes palëve dhe se në verë, Muriqi pritet të transferohet te Fenerbahçe, ku kanë në plan të rindërtojnë skuadrën nga e para për të luftuar për titullin kampion që mungon nga sezoni 2013-2014.