Sport Firmos për Zenitin në Rusi, mbrojtësi përjashtohet nga Ukraina

Firmos për Zenitin në Rusi, mbrojtësi përjashtohet nga Ukraina

“Futbolli dhe politika janë kanë lidhje të fortë në Ukrainë”. Fjalë të thëna nga goja e Ruslan Rotan, ish-lojtar i kombëtares ukrainase dhe aktualisht trajner i Ukrainës U-21. Gjykimin e tij e vërteton një çështje që sapo ka shpërthyer dhe që ka të bëjë, si gjithmonë, me armikun historik: Rusinë.
Duhej të ishte thjesht një çështje merkatoje, por që në kohë rekord u bë çështje politike dhe diplomatike. Jarosllav Rakitskij, mbrojtësi i kombëtares ukrainase që drejtohet nga Andrij Shevçenko, ka firmosur për Zenitin e Shën Peterburgun, një skuadër ruse dhe si për ironi, skuadra e qytetit të Vladimir Putin.

Në Ukrainë, zgjedhja e mbrojtësit Rakitskij nuk është pritur aspak mirë. Menjëherë ai është përjashtuar nga kombëtarja me vendim të federatës ukrainase. Portreti i tij nuk figuron më në faqen zyrtare të kombëtares, por nuk është ende e qartë, nëse bëhet fjalë për një vendim provizor apo përfundimtar. Nuk ka ndonjë sqarim zyrtar, por nuk ka dyshim që gjithçka vjen nga kalimi i futbollistit në Shën Peterburg.
Një mëkat i vërtetë në Ukrainë. “Tani për Jarosllavin do të jetë shumë e vështirë që të grumbullohet në kombëtare. Besoj se ai e di pse ndodh kjo”, – ka shtuar Rotan. Ndodh, sigurisht, për arsye politike, arsye që verën e kaluar rrezikuan bojkotimin e Botërorit nga televizioni publik ukrainas.

Kritika edhe nga shokët, ose më mirë ish-shokët e kombëtares. Artem Fedetski, kapiteni i Karpatit, e konsideron të papranueshme zgjedhjen e Rakitskit. “Çfarëdo që të ndodhë, duhet të respektosh popullin dhe vendin tënd. Nuk kam fjalë dhe besoj se për Shevçenkon do të jetë shumë e vështirë të grumbullojë sërish”, – tha ai.

Trajneri i Ukrainës, Andrij Shevçenko, ende nuk ka folur për çështjen në fjalë publikisht. Problemi është që firma e mbrojtësit ukrainas me Zenitin ka sjellë pakënaqësi edhe në Rusi. Dmitri Gordon, një gazetar i njohur në Rusi, e ka trajtuar kështu çështjen: “Si mundet që një lojtar, i cili ka kënduar himnin ukrainas, që ka mbrojtur ngjyrat e Ukrainës, të mbajë një fanellë, ku është shkruar ‘Rusia’?”. Një transferim që ka trazuar ujërat dhe që nuk miratohet si nga Ukraina, ashtu edhe nga Rusia. Polemikat do të vazhdojnë gjatë, me siguri. Merkato, apo luftë e ftohtë?