Aktualitet Fitoi pafajësinë, dëmshpërblehet ish-drejtori i Burgjeve

Fitoi pafajësinë, dëmshpërblehet ish-drejtori i Burgjeve

Ish-drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, do të dëmshpërblehet me një shumë financiare pas qëndrimit në paraburgim.Vendimi u mor nga Gjykata Administrative, në bazë të të cilit ai do të marrë 1 milion e 725 mijë lekë.

Kjo shumë financiare është kompesim për periudhën e burgimit të padrejtë të kryer prej tij, thuhet në vendimin e gjykatës.

“Gjykata vendosi: Pranimin e pjesshëm të padisë. Detyrimin e palëve të paditura t’i paguajnë paditësit shumën 1725000 (një milion e shtatëqind e njëzetë e pesë mijë) lekë, si kompesim për periudhën e burgimit të padrejtë të kryer prej tij. Rrëzimin e padisë për kërkimet e tjera të saj”, shkruhet në dispozitivin e vendimit të dhënë në fund të muajit janar.

Zoto u akuzua për korrupsion me tenderat në burgje, ndërsa u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda.

Artur Zoto u arrestua në shkurt 2017 me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës pasi nga hetimet e akuzës ai u dyshua se përfitoi para për tenderat e ushqimeve në burgje.