Aktualitet Flet aktivistja amerikane: Gjykatësja që shpëtoi Valbonën, një engjëll

Flet aktivistja amerikane: Gjykatësja që shpëtoi Valbonën, një engjëll

Shpërndaje

Entela Resuli

Vendimi i gjykatëses Rilinda Selimi, pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë ka bërë të lumtur qindra aktivistë dhe banorë të cilët dy vitet e fundit janë angazhuar në mbrojtjen e Luginës së Valbonës duke kundërshtuar ndërtimin e HECE-ve atje.

“Kur më dërgove lajmin në gazetën Dita i cili thoshte se Gjykata Administrative e Apelit ka merituar kërkesën tonë mbi pezullimin e  punës për ndërtimin e disa HECE-ve në Luginën e  Valbonës,  për turpin time, nuk e kam besuar!  As unë e as avokati ynë nuk ishim informuar që gjykata ka zhvilluar seancën gjyqësore.

Kontaktova me avokatin dhe e pyeta se çfarë ishte ky lajm?  Në mëngjes ai shkon personalisht në gjykatë ku edhe i konfirmojnë se zhvilluar një “seancë të mbyllur”  dhe  është miratuar kërkesa e 27 banorëve edhe OJF-së TOKA për pezullimin e punës nga firmat që po bëjnë ndërtime në luginë”- na thotë Catherine Bohne, amerikania që prej vitesh është vendosur në ballë të “përplasjes” me firmën që është duke ndërtuar 11 HECE në këtë lugine, e cila konsiderohet më shumë se sa pasuri kombëtare.

Për të qenë më të qartë:

Me datën 6 qershor Gjykata Administrative e Apelit Tiranë i jep të drejtë padisë së banorëve të Tropojës dhe shoqatës “Toka”, për të mbrojtur luginën e Valbonës, ku kishte nisur ndërtimi i HEC-ve.

Ka qenë vendimi i trupës gjykuese me kryesuese Rilinda Selimi, që  një javë më parë mori parasysh kërkesë-padinë e 27 banorëve të Njësisë Margegaj, përfaqësues të disa fshatrave të kësaj zone dhe shoqatës “Toka”, duke vendosur pezullimin e punimeve në këtë zonë.

Padia ishte depozituar që prej fillimit të muajit mars të këtij viti.

Ky është ndër rastet e rralla kur togat e zeza dalin në krah të qytetarëve dhe shoqërisë civile, për mbrojtjen e zonave të cilësuara pasuri natyrore, siç është edhe lumi Valbona dhe rrethinat e tij.

Valbona hyn në zonat e mbrojtura në Shqipëri, por banorët publikisht, juridikisht dhe me protesta të shumta, kanë denoncuar ndërtimet e HEC-ve nga kompanitë “Dragobia Energy” dhe “Gener 2”.

Për momentin shoqata “Toka” drejtuar nga Catherine Bohne dhe banorët e Tropojës janë njoftuar për pezullimin e  punimeve mbi HECE-t që po ndërtohen nga kompania “Gener2” dhe  “Dragobia Energy”.

Fitorja e (pa) pritur

“TOKA” është një shoqatë joqeveritare që ka si fokus mbrojtjen e Alpeve Shqiptare. Sipas vetëpërshkrimit, NGO-ja e Bohne nëpërmjet projekteve dëshiron të mbrojë mirëqenien mjedisore, sociale dhe ekonomike.

“Dje paradite, kur e mora informacionin në rrugë zyrtare, dhe pasi avokati ma konfirmoi atë që më dërguat ju, me ranë lotët nga sytë. Ishte e pamundur të nxirrja fjalë nga goja në ato momente”- na tregon Catherine për emocionet e këtij vendimi.

Për shtetasen e huaj, e cila prej vitit 2009 ka vendosur të jetoi në Shqipëri kjo ishte një fitore e rëndësishme  mes betejave gjyqësore që e presin në vazhdim.

Për ne të gjithë, jo vetëm për mua, kjo është një fitore e rëndësishme edhe e  fuqishme, sepse ky është një precedent që d të thotë që gjykata ka verifikuar që në Parkun Kombëtar të Valbonës ka dëmtime.

Është një fitore pasi, për herë  të parë mbas një viti e gjysmë, banorët mund të flenë të qetë, pa zhurmën e minave.  Fëmijët dhe bagëtitë tani mund të lëvizin lirshëm rreth  luginës pa frikën se ndonjë gurë i ardhur nga shpërthimet mund t’i dëmtojë ata.

Catherine Bohne

   Është një fitore edhe për grupin e njerëzve që i është bashkuar kësaj kauze dhe që rritet  çdo ditë e më tepër. Këta njerëz vazhdojnë të luftojnë për këtë tokë, pasi kanë dhënë besën që nuk do të tërhiqen asnjëherë dhe të gjithë bashkë do të luftojmë deri në fund në mbrojtje të Valbonës, në mbrojtje të të drejtave tona dhe në mbrojtje të Shqipërisë.

Çdo fitore për Valbonën, për Shqipërinë  është një shpresë që tregon se në këtë vend mund të bëhet drejtësi, mund të ketë demokraci dhe banorët mund të kenë një jetë të qëndrueshme. Mbi të gjitha ata duhet të mbrojnë bukuritë e rralla natyrën të këtij vendi, për t’ia lënë trashëgimi brezave të ardhshëm.

Kjo fitore e stome është një fitore për çdo njeri që ka një ëndërr  për një Shqipëri më të mirë. Këtu dua të falënderoj të gjithë ata që punojnë për të arritur këtë gjë. Lufta vazhdon!”-i tha gazetës Dita, Catherine, e cila prej 9 vitesh është martuar me një djalë Tropoje, ku dashuria për të dhe vendlindjen e tij e kanë bërë që të vendos të jetojë pikërisht në veri të vendit.

Dihet që beteja tashmë është ligjore dhe është zhvendosur në dyert e gjykatave, por në këtë rast, trupi gjykues kryesuar nga gjyqtarja Rilinda Selimi pezulloi punimet në Valbonë, çfarë mendon amerikania e Valbonës për gjyqtaren Selimi?

Për mua ajo është një engjëll! Ka marrë një vendim të drejtë. I vetmi interes i yni është të mbrojmë natyrën, të ruajmë Valbonën, këtë perlë të Shqipërisë dhe jam e lumtur që gjyqtarja vendosi pikërisht pezullimin e punimeve.

 Me logjikë, që nga fillimi e besoja se do të fitonim sepse HEC-et në Valbonë nuk kanë asnjë justifikim,  as mjedisor, as ekonomik e as ligjore.  Por nga ana tjetër nuk është sekret që jemi në një vend ku sistemi i drejtësisë është shumë i prishur. Edhe pse ende nuk e kam lexuar vendimin e shkruar, për mua  një tjetër lajm i madh është që ka filluar të funksionoi ky sistem. Dhe patjetër falenderojmë gjyqtaren me gjithë shpirti, që e ka parë  me kujdes këtë çështje”.

Catherine Bohne

-E prisnit këtë vendim?

“Po, me tru dhe logjikë, e prisja,  por më dukej një rrugë e gjatë dhe shumë e lodhshme. Jemi nisur në këtë drejtim vetëm e vetëm me besimin se një ditë  do të fitojmë, por nuk e kishim imagjinuar se kjo ditë do të ishte sot”.

Catherine është një zonjë amerikane që lufton më shumë se çdo shqiptare në mbrojtje të natyrës së  këtij vendi. Dhe në një moment, teksa shohim që është duke i futur sa në një sallë gjyqi në tjetrën, për të mbrojtur Luginën e Valbonës, të bën të ndihesh në faj për mungesën e angazhimit, duke ngritur zërin, në mbrojtje të natyrës, të cilën aq shumë na e duan të huajt, por sa pak e vlerësojmë ne që jetojmë këtu!

Reagimi i kompanisë

Në krahun tjetër avokatja e kompanisë ‘Gener 2’ Mine Progonati, tha se vendimi është “marrë në shkelje flagrante të procedurave ligjore”, ndërsa thotë se “nuk mendon që (vendimi) ka efekt mbi vijimin e ndërtimi të HEC” pasi sipas saj bëhet fjalë për një padi objekti i të cilës ka pushuar në maj të këtij viti.  Të dyja palët janë në pritje të zbardhjes së vendimit. Avokatja e kompanisë “Gener 2” tha se vendimin e gjykatës ishte marrë në shkelje të ligjit pasi palët duhej të ishin njoftuar 15 ditë para dhe çështja duhej të ishte njoftuar në kalendarin e gjykatës në faqen e internetit, ndërsa po ashtu pretendoi se vendimi ishte marrë me shumicë të thjeshtë 2 me 1. Ajo po ashtu tha se mendonte që vendimi realisht nuk kishte efekt mbi punimet, pasi objekti në gjykim ishte shtyrja e lejes së ndërtimit nga KKT të cilës ndërkohë sipas saj i kishte mbaruar afati. “është një vendim për një çështje që nhuk egziston”, tha Mine Progonati.  Avokatja u ankua se ndërsa një padi më e vjetër nuk ishte shqyrtuar ende, për padinë e re gjykata kishte marrë vendim shumë shpejt. “Kemi dy çështje për masë sigurimi, njëra ka më shumë se një vit dhe akoma nuk është marrë vendim, ndërsa në këtë rast merret vendimi për 2 muaj”, tha Progonati e cila akuzoi gjykatën për vendim të paligjshëm.