Politika Flet Berisha: Ku gaboi opozita që nuk rrëzoi dot Ramën

Flet Berisha: Ku gaboi opozita që nuk rrëzoi dot Ramën

Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur në emisionin “Opinion” për marrëveshjen PD-PS për reformën zgjedhore. Për herë të parë Berisha ka folur për mosarritjen e objektivit që kishte opozita për rrëzimin e Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike.

“Kishte një vendim ekstrem dhe të paprecedentë të opozitës shqiptare siç ishte djegie e mandateve. Kushtetuta njeh të drejtën e parlamentarit për të hequr dorë nga mandati. Qëllimi i opozitës për këtë vendim përveç background-it që aty nuk kishte mjedis parlamentar së pari një sensibilizim shqiptar dhe ndërkombëtar për dramën e parlamentarizmit në Shqipëri, së dyti rrëzimi i Ramës dhe së treti një qeveri teknike që të çonte vendin në zgjedhje.

Nuk po them që opozita i realizoi qëllimet e veta, por një gjë mund ta them. Opozita realizoi damkosjen shqiptare dhe ndërkombëtare. Ndryshe opozita futej në një rreth të kuq që nuk dilte kurrë. Kjo nuk ndodhi. kjo jo sepse u pëlqye veprimi i opozitës, por sepse opozita u përball me një njeri që nuk njihte asnjë normë dhe asnjë standard.

Po ta vini re dialogu me ndërkombëtarët vijon normalisht sikur nuk ka ndodhur gjë. Opozita nuk e realizoi dot rrëzimin e Edi Ramës dhe zgjedhjet e reja. Ky është realiteti. Opozita nuk kishte qëllim vetëvrasjen. Qëllimi i opozitës ishte rrëzimi i Ramës, por opozita nuk arriti të trajtojë revoltën e madhe popullore që ekzistonte me mosbindjen civile që t’i jepte shkelmin Edi Ramës përfundimisht.

Arsyeja? Asnjë faktor ndërkombëtar nuk merrte përsipër të mbronte Ramën nëse opozita gjente rrugën e duhur të mosbindjes civile. Unë mendoj se opozita duhet të stacionohej në bulevardin Dëshmorët  e Kombit “me të apo mbi të” pa ndërprerje.

Opozita kishin një strategji, por nuk realizoi dot fitoren. Faktori ndërkombëtar? Ua kisha thënë miqve që nuk duhet të prisnim për mbështetje dhe as të mos zemëroheshim për kritikat pas vendimit të djegies së mandateve. Nuk kishte skenar për ta përmbysur me dhunë Ramën”, tha Berisha.