Sport Flet legjenda bardhezi: Ky Juventus është marsian, por i imi ishte më...

Flet legjenda bardhezi: Ky Juventus është marsian, por i imi ishte më i mirë

Duke folur për “Radio Anch’io Sport” në “Radio Uno”, ZIBI BONIEK riafirmoi superioritetin e Juventusit në Serie A dhe pret të përmbushen ambiciet e tij në Ligën e Kampionëve, duke e krahasuar ekipin aktual bardhezi me atë ku luajti vetë, në vitet ’80.

“Unë kam thënë edhe më herët se kampionati italian ishte i mbyllur, para se të fillonte. Juve është nga një planet tjetër, ndoshta nga marsi, krahasuar me ekipet e tjera italiane. Falë cilësisë dhe përvojës, gjithmonë luan për t’i fituar të gjitha kompeticionet kombëtare. Dhjetë vitet e fundit, pothujase, e kanë dëshmuar dominimin e tij absolut në Serie A. Ndaj Lazios pashë lojën më të keqe të sezonit, por fitoi, gjithsesi”, – nënvizoi në fillim të fjalës së tij çeku i mirënjohur.

Më tej, Boniek bëri krahasimin e ekipit aktual bardhezi me Juventusin e viteve ’80, ku luanin yje si Platini, Paolo Rossi, Scirea, Tardelli, Cabrini dhe Zoff: “A është ky, Juventusi më i fortë ndonjëherë? Ju nuk mund t’i krahasoni ekipet gjatë viteve. Futbolli është shumë i ndryshëm. Juventusi im, megjithatë, ka fituar edhe në Europë”.

Me Juventusin, Boniek fitoi një finale të Kupës Europiane në “Heysel”, me Liverpool, një Kupë Kupash dhe një Superkupë Europiane midis viteve 1983 dhe 1985. Liga e Kampionëve, që përbën objektivin madhor të Juventusit aktual, është një qëllim, që bardhezinjtë mund ta aspirojnë, por jo i lehtë për t’u arritur.

Kështu mendon Boniek: “Janë tetë ekipe, që mund ta fitojnë Champions-in, por në fund ia del vetëm një. Në Torino nuk ëndërrojnë asgjë tjetër, përveçse të fitojnë Ligën e Kampionëve. Sidoqoftë, për këtë nevojitet fat, cilësi dhe një short i mirë. Në Europë, gjithçka mund të ndodhë. Klubi mori Cristiano Ronaldon, që ka përvojë të madhe ndërkombëtare, me të cilin shpreson t’i zgjidhë ndeshjet në Champions”.