Aktualitet Fletët e votimit të Vaut të Dejës rishtypen në Slloveni

Fletët e votimit të Vaut të Dejës rishtypen në Slloveni

Komisoni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e pasdites së sotme ka vendosur që prodhojë nga e para fletët e votimit të njësisë bashkiake Vau i Dejës, për shkak të shkatërrimit që pësuan një ditë më parë nga sulmi ndaj KZAZ-së.
Vendimi kryesor i mbledhjes së KQZ-së ishte ai “Për nxjerrjen jashtë përdorimit të materialeve zgjedhore (fletë votimi ,vula, kuti votimi, kode siguri) të qendrave të votimit në KZAZ nr.6, Qarku Shkodër dhe zëvendësimin e tyre me materialet zgjedhore të nevojshme”.
KQZ vendosi të nxjerrë jashtë përdorimit fletët e votimit për kryetar dhe kandidat për këshillin e bashkisë Vau i Dejës, dhe të prodhojë e pajisë KZAZ-në nr. 6 me 39.527 fletë votimi për kandidatët për kryetar dhe 39.527 fletë votimi për kandidatët për këshillin e bashkisë Vau i Dejës. Këto fletë votimi do të prodhohen në Slloveni nga firma “Cetis”, e cila do të t’i sjellë brenda ditës së shtunës në Tiranë.
Për Vaun e Dejës ka vetëm një kandidat, ai është Mark Babani i Partisë Socialiste. Gjithashtu KQZ vendosi të nxirren jashtë përdorimit vulat e KQZ-ve dhe të zëvëndësohen ato me vulat rezervë. Të nxirren jashtë përdorimit vulat e kryetarëve të 53 KQV-ve të KZAZ-së nr. 06, dhe të prodhoje e pajisë KZAZ-në nr. 6 me 53 vula për kryetarët e KQV-ve. KQZ vendosi të dërgojë në KZAZ-në nr. 6, 106 kuti votimi dhe kuti të materialeve zgjedhore së bashku me kodet e sigurisë përkatëse. KQZ vendosi të dërgojë në KAZ-nr. 6, Qarku Shkodër, të gjithë materialet e tjera zgjedhore të parashikuara nga neni 99 i Kodit Zgjedhor.
Për shkak të tensionit të ndodhur ditën e enjte, ku u dogjën materialet e votimit, KQZ-ja vendosi që të zhvendosë KZAZ numër 6, nga një ambient publik, siç ishte shkolla e mesme profesionale në privat, te një qendër biznesi.