Ekonomi Forcimi i lekut mbajti në nivele të ulta ushqimet dhe naftën

Forcimi i lekut mbajti në nivele të ulta ushqimet dhe naftën

Viti 2017-të ka patur inflacion të ulët për shkak të kursit të këmbimit. Ky është konkluzioni i Bankës së Shqipërisë, e cila vlerëson se nëse monedhat ndërkombëtare si Euro dhe Dollari, do të ishin forcuar, çmimet e konsumit i do të ishin më të larta.

Megjithatë në analizën e saj, banka qëndore vëren se tregtarët nuk reflektojnë si duhet në çmime fitimin që kanë nga kursi i këmbimit. Nëse në rastin kur Euro apo Dollari mbiçmohet përkthehet menjëherë në vlerën e mallit, procesi është më i ngadalshëm kur leku fiton pikë ndaj tyre, thuhet në analizën e bankës qëndrore.

Çmimet e produkteve ushqimore, zënë peshën më të lartë në shportën e inflacionit. Këto produkte kanë pësuar edhe rritjen më të madhe përballë artikujve të tjerë gjatë këtij viti.

E nëse monedha e përbashkët europiane do të ishte në nivele të njëjta me një vit më parë, çmimet për këto mallra sot do të ishin më shtrenjtë. Rënia e euros dhe dollarit, ka arritur të mbajë stabël çmimin e karburanteve, i cili edhe pse ka pësuar një rritje të lehtë në bursa, nuk ka ndryshuar në tregun shqiptar. Leku është forcuar në 6 muajt e parë të këtij viti 4.2% , e duke shënuar rritjen më të lartë gjatë dekadës së fundit.