Kosova Formimi i qeverisë, Albin Kurti refuzon takimin me Presidentin Thaçi

Formimi i qeverisë, Albin Kurti refuzon takimin me Presidentin Thaçi

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka refuzuar të takojë Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi për të marrë mandatin e Kryeministrit.

Në një përgjigje për Klan Kosovën, zyra e Vetëvendosjes për marrëdhënie me publikun thotë se Kurti e ka të pamundur takimin e sotëm me Thaçin pasi nuk ndodhet në Prishtinë.

“Pak pas orës 11:00, në selinë e LVV, sot erdhi letra e Presidentit të Kosovës për një takim po ashtu sot në ora 13:30, me Kryetarin e LVV, Albin Kurti. Kryetari Kurti e ka sot të pamundur ta takojë Presidentin, meqenëse ndodhet jashtë Prishtinës. Ai do ta njoftojë së shpejti Presidentin për ditët e orët e mundshme të takimit”, ka thënë zyra e shtypit e Lëvizjes Vetëvendosje.

Takimi mes Presidentit Thaçi dhe Albin Kurtit ishte parashikuar sot në orën 13:30. Gjithsesi, Kurti nuk ka ende votat e nevojshme për të formuar qeverinë pasi nuk ka një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Negociatat me partinë e Isa Mustafës dështuan për shkak të pretendimeve për postin e Presidentit.