Aktualitet Foto e autorit/ Atentati në Laprakë për një shuplakë, ja si u...

Foto e autorit/ Atentati në Laprakë për një shuplakë, ja si u qëlluan 2 të rinjtë në makinë

Ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Laprakë, ku mbeti e vrarë 17-vjeçarja Griselda Gjikola dhe u plagos rëndë i dashuri i saj, Erion Bengo, mësohet se gjithçka ka marrë shkas për një shuplakë. Sipas burimeve policore, autori i krimit, tashmë i identifikuar dhe i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Armëmbajtje pa leje” është konfliktuar 10 ditë më parë me Bengon, për shkak të viktimës, të cilën e kishte ngacmuar.

Në sherr e sipër, 23-vjeçari Erion Bendo e ka gjuajtuar atë me shuplakë. Por sherri mes të rinjve nuk ka përfunduar me kaq, duke precipituar mbrëmjen e së mërkurës deri në vrasje. Pas atentatit që i mori jetën Griselda Gjikolës me origjinë nga Kurbneshi i Mirditës, blutë janë vënë në ndjekje të vrasësit. Bëhet fjalë për 19-vjeçarin nga Puka, Robert P.. Ndërkaq, pas kryerjes së hetimeve nga policia janë zbardhur detaje të reja në lidhje me ngjarjen që tronditi banorët e kryeqytetit si dhe është rindërtuar skema e krimit.



DINAMIKA E NGJARJES
Mbrëmjen e së mërkurës, Erion Bengo në shoqërinë e dy vajzave (njëra prej të cilave viktima) kanë qenë në ambientet e një lokali te blloku “Gintash” në zonën e Laprakës. Po në të njëjtin lokal kanë qenë edhe dy të rinj të tjerë, me njërin prej të cilëve 23-vjeçari ishte në konflikt dhe që më pas rezultoi të ishte autori i krimit. Pasi kanë konsumuar kafen (rreth orës 18:17), Bengo është larguar nga lokali i shoqëruar nga e dashura e tij, ndërsa dyshohet se çifti i të rinjve është ndjekur pas nga agresori dhe bashkëpunëtori i tij. 17-vjeçarja dhe i dashuri saj kanë ecur në një rrugicë për në drejtim të makinës që ishte parkuar diku mes pallateve, në një zonë jo shumë të ndriçuar. Sapo çifti ka hyrë një automjetin tip “Benz E Class” me targa AA266MS dhe ende pa e ndezur atë, janë afruar dy persona të maskuar.

Njëri prej tyre dhe konkretisht 19-vjeçari nga Puka, i cili u identifikua pas ngjarjes, ka qëlluar 5 herë me pistoletë në drejtim të makinës në fjalë. Fillimisht, autori ka qëlluar në pjesën anësore të mjetit dhe pastaj nga pjesa e pasme. Për pasojë, mbeti e vrarë Griselda Gjikola, e cila mori dy plumba në kokë.

Ndërsa, drejtuesi i mjetit Erion Bengo mbeti i plagosur në qafë dhe në shpatull. Mësohet se i riu ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Burimet e mësipërme pohuan se bashkëpunëtori i 19-vjeçarit nga Puka nuk ka qëlluar me armë, por ka dyshime se e ka ndihmuar atë për t’u larguar. Krismat e armëve kanë alarmuar policinë, e cila ka shkuar shpejt në vendngjarje. Pas kryerjes së veprimeve hetimore paraprake, si dhe pas këqyrjes së pamjeve filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë të bizneseve aty afër është bërë i mundur identifikimi i ekzekutorit, i cili është shpallur në kërkim.

Sipas hetuesve të çështjes, objektiv i atentatit ka qenë 23-vjeçari Erion Bengo. Ky i fundit edhe pse i plagosur ka mundur ta transportojë vetë të dashurën e tij në spital, ku ajo humbi jetën për shkak të plagëve vdekjeprurëse që kishte marrë në kokë.

Pas identifikimit të ekzekutorit, uniformat blu kanë ushtruar kontrolle në banesën e tij, por ai nuk është gjetur. Të dhënat për 19-vjeçarin u janë shpërndarë të gjitha policive kufitare, pasi dyshohet se ai mund të tentojë të largohet jashtë vendit./GSH