Kuriozitete FOTO: Konsiderohej i zhdukur, shfaqet një familje rrëqebulli në Elbasan

FOTO: Konsiderohej i zhdukur, shfaqet një familje rrëqebulli në Elbasan

Disa kamera-kurth të vendosura në rajonin malor Polis-Guri i Zi në Elbasan kanë sjellë një surprizë.

Një familje rrëqebulli, e përbërë nga tre individë, është filmuar dhe fotografuar në 16 shkurt 2020.

Pas zonës së Munellës në veri të Shqipërisë, rajoni Polis-Guri i Zi bëhet tashmë rajoni i dytë në Shqipëri ku është vërtetuar riprodhimi i rrëqebullit dhe zona e tretë në gjithë Ballkanin (përfshirë dhe Parkun Kombëtar të Mavrovës në Maqedoninë e Veriut).

Monitorimi në rajon po kryhet bashkarisht nga PPNEA dhe AdZM Elbasan në kuadër të Programit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit në Shqipëri.

Përveç faktit të vërtetimit të riprodhimit të rrëqebullit, kjo e dhënë vërteton dhe vendndodhjen më jugore të rrëqebullit të Ballkanit në të gjithë gadishullin.