Kryesore FOTO: Ku fshihen sot Lenini, Stalini dhe Enveri

FOTO: Ku fshihen sot Lenini, Stalini dhe Enveri

Këta tre personazhe nuk kanë qenë asnjëherë më parë kaq afër fizikisht. Ndërsa për nga idetë janë bashkuar në shumë pika.

Lenini, Stalini dhe Enver Hoxha sot gjenden bashkë, të vendosur njëri pas tjetrit mbrapa godinës së Galerisë së Arteve në Tiranë.

Leninit i është thyer krahu.

Stalini, hijerëndë, autoritar dhe me vështirim ngulitës. Enveri më i dëmtuar, me hundë të thyer qëndron te këmbët e ish-idhullit të tij shpirtëror.

Janë dy statuja të ish- udhëheqësit komunist të Bashkimit Sovjetik.

Ndryshe nga Lenini dhe Enveri, Stalini shpëtoi i padëmtuar nga zemërimi i njerëzve gjatë ndryshimit të sistemit në vitet ’90.

E hoqën përpara se t’i vërsuleshin dhe ta shkatërronin. Ai sot vazhdon të jetë më i fort, të paktën kështu duket, teksa qëndron krah ‘shokëve” të tij.

Mes drejtuesve komunistë qëndron punëtori që mban në një dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën.

Ishte ai që i bënte të dyja, edhe punonte edhe të mbronte atdheun.

Ata që kanë jetuar përpara viteve ’90 e mbajnë mend sloganin: në njërën dorë armën e në tjetrën pushkën…

Përballë tyre qëndron e brishtë një vashës me gërsheta, e cila gjithashtu është e armatosur, shkruan Dita.

Në këtë hapësirë të padukshme nga bulevardi Dëshmorët e Kombit  gjendet pak nga historia dhe arti që është bërë dikur.

Këto ishin bustet e kohës që i shihnim në vendet më të populluara të kryeqytetit.

Njëri nga monumentet e Stalinit qëndronte në vendin ku ndodhet busti i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti dhe më pas u zhvendos para hotel Dajtit ndërsa tjetri ai që ndodhej tek kombinati i tekstileve, i vendosur në vitin 1954, vepër e Odise Paskalit.

Pavarësisht se me dëmtime dhe larg syve të kureshtarëve, ata sërish gjenden në këtë cep të fshehur të Galerisë Kombëtare në kryeqytet, edhe pse të pafuqishëm dhe me armaturë boshe.

“Dita” sjell fotot e tyre më poshtë. E. Resuli