Aktualitet FOTO/ Operacionet Speciale ajrore amerikane stërvitje në Shqipëri

FOTO/ Operacionet Speciale ajrore amerikane stërvitje në Shqipëri

Për rreth një javë, nga data 29 korrik deri më 5 gusht, njësia operative e Komandës së Operacioneve Speciale të Forcës Ajrore të Shteteve të Bashkuara, kreu veprime dhe fluturime stërvitore në hapësirën ajrore shqiptare.

Tre avionë “MC-130J Commando II” dhe ekuipazhet e tyre kryen fluturime stërvitore në mbështetje të operacioneve speciale në Evropë.

Avionët dhe trupat amerikanë u dislokuan në pjesën ushtarake të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku u vizituan nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila shoqërohej nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones, zëvendëskomandanti i Forcës Ajrore, kolonel Editson Zarka dhe atasheu ushtarak amerikan, kapiten i Rangut Dytë James Hilton.

Ministrja Xhaçka u njoh me qëllimin e stërvitjes si dhe me misionin dhe detyrat e Krahut të 352-të të Operacioneve Speciale, me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.

E shoqëruar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones, ministrja Xhaçka u ngjit në bordin e një prej avionëve të tipit “MC-130J Commando II”, ku u njoh me kapacitetet dhe aftësitë e këtij mjeti fluturues dhe ekuipazhit të tij.

Ministrja Xhaçka e vlerësoi praninë e avionëve transportues të përmasave të tilla, të ushtrisë amerikane si një dëshmi e vëmendjes gjithnjë e më të shtuar, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Shqipërisë, e konkretizuar si në drejtim të trajnimit të efektivëve tanë ashtu edhe përmes pajisjeve me mjete si Humvee apo helikopterët Black Hawk, që pritet të hyjnë së shpejti në përdorim të Forcës sonë Ajrore.

Përdorimi i hapësirës ajrore shqiptare dhe bazave tona nga njësia për mbështetjen e operacioneve speciale amerikane, është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe SHBA-ve në fushën e mbrojtjes. Aktualisht pilotët dhe teknikët shqiptarë janë duke u trajnuar nga kolegët e tyre të Gardës Kombëtare të New Jersey-t për helikopterët “Black Hawk” që pritet të hyjnë së shpejti në përdorim të Forcës sonë Ajrore.

Krahu i 352-të të Operacioneve Speciale shërben si pikë qendrore për të gjitha aktivitetet e operacioneve speciale të Forcës Ajrore të SHBA-ve në të gjithë Evropën. Kjo njësi është e përgatitur të kryejë një shumëllojshmëri misionesh me përparësi të lartë e shikueshmëri të ulët, që mbështesin forcat speciale të SHBA-ve dhe aleatëve në kohë paqeje, në stërvitjet e përbashkëta dhe operacionet luftarake.