Politika Franca dhe Holanda heqin veton vetëm nëse Shqipëria riatdheson azilkërkuesit?

Franca dhe Holanda heqin veton vetëm nëse Shqipëria riatdheson azilkërkuesit?

“Presidenti Emmanuel Macron do të japë miratimin për hapjen e negociatave vetëm nëse Shqipëria nënshkruan një dokument për riatdhesimin e të gjithë azilkërkuesve nga Franca”. Këto janë raportet që qarkullojnë orët e fundit në mediat europiane dhe rajonale, e që kanë ngritur jo pak shqetësim për qëndrimin e Francës ndaj Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në prag të samitit të marsit.

Një zyrtar i lartë europian, duke folur në kushte anonimiteti, ka zbuluar se Franca nuk është mjaftuar vetëm me ndryshimin e metodologjisë së zgjerimit, por ka vendosur si kusht edhe zgjidhjen e çështjes së azilkërkuesve.

“Franca ka vënë si kusht për të tërhequr veton ndaj negociatave me Shqipërinë riatdhesimin e të gjithë azilkërkuesve nga vendi i vogël i Ballkanit Perëndimor”, shkruan gazeta e njohur europiane “Euractiv”. “Zyrtarë të lartë në Bruksel bëjnë të ditur se Parisi pritet të kërkojë nënshkrimin e një dokumenti dypalësh për rikthimin e azilkërkuesve në vendin e tyre”, thekson gazeta.

Lajmi është konfirmuar më pas edhe nga agjencia e lajmeve “Balkan Insight”, e cila po ashtu citon zyrtarë të lartë të BE-së. Sipas kësaj agjencie, të njëjtit shqetësim i është bashkuar edhe Holanda, e cila po ashtu kërkon që qeveria shqiptare të riatdhesojë azilkërkuesit.

“Zyrtarët e BE-së thonë se Shqipëria e ka më të vështirë të marrë dritën jeshile për bisedimet, pasi Franca dhe Holanda kanë kushtëzuar dhënien e dritës jeshile për negociatat vetëm nëse Tirana nënshkruan një marrëveshje për riatdhesimin e azilkërkuesve”, shkruan “Balkan Insight”.

Ajo thekson se pasi Komisioni Europian propozoi metodologjinë e re të zgjerimit, Parisi ka të ngjarë të mbajë një qëndrim më të “butë”, por se kërkon paralelisht që Shqipëria të angazhohet për çështjen e azilkërkuesve.

Në tetor, Franca bllokoi fillimin e negociatave zyrtare të pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut kundër dëshirave të shumicës së anëtarëve të tjerë të BE-së. Në konferencën e përbashkët me kancelaren gjermane Angela Merkel, Presidenti francez, Emmanuel Macron konfirmoi se qëndrimi i Parisit për të mos hapur negociatat as me Shqipërinë dhe as me Maqedoninë e Veriut lidhet me kërkesat e larta të azilkërkuesve shqiptarë në Francë.

“Është e vështirë ti shpjegoj francezëve që do ti hapin negociatat Shqipërisë sepse Shqipëria cilësohet si një vend i sigurt dhe nuk mund ta shpejtoj pse kemi probleme me azilkërkuesit nga një vend i sigurt. Nuk mund të bëj gjëra që francezët e kanë të pamundur ta kuptojnë”, tha Macron.

“Kemi gjëra të tjera për të përfunduar më pas të hapim negociatat. Mendoj që duhet të reformojmë edhe procedurën e anëtarësimit dhe të hapjes së negociatave, sepse ka shumë gjëra absurde, si shembull kemi lëvizjen e lirë përpara se të hapen negociatat. Kemi lëvizjen e lirë me Shqipërinë pa hapur negociatat dhe kjo është njëlloj marrëdhënie e çuditshme. Në mirëbesim kemi dhënë lëvizjen e lirë dhe kemi mijëra e mijëra persona që kërkojnë azil këtej”, deklaroi ai.