Bota Franca rrit sigurinë nëpër xhami, Erdogan bën paralajmërim. Reagon Merkel

Franca rrit sigurinë nëpër xhami, Erdogan bën paralajmërim. Reagon Merkel

| Nga American Eye
Shpërndaje

Pas sulmit terrorist në xhaminë “Al Noor” në Zelandën e Re, që la pas 49 viktima dhe 48 persona të plagosur, Franca ka rritur sigurinë në xhami, ndërsa kryebashkiaku i Londrës është shprehur se sulmet ndaj xhamive të “thyejnë zemrën”.

Gjithashtu kryeministri spanjoll ka shprehur ngushëllime ndaj Zelandës së Re, ndërsa ministri i Jashtëm gjerman e ka dënuar këtë krim brutal.

Reagime kanë ardhur edhe nga vendet arabe, të cilat e kanë dënuar aktin e rëndë dhe kanë kërkuar drejtësi.

Ndërkohë që Presidenti turk, Erdogan iu ka bërë thirrje vendeve perëndimore të ndërmarrin masa për të frenuar rritjen e racizmit kundër fesë islame. Erdogan paralajmëroi se nëse nuk do të merren masa për këtë çështje, të tilla sulme do të jenë të pashmangshme.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel reagoi e tronditur pas sulmit në dy xhami në Christchurch në Zelandën e Re. “Jam e pikëlluar bashkë me zelandezët dhe bashkëqytetarët e tyre, që në mënyrë paqësore po faleshin në xhamitë e tyre dhe u vranë nga urrejtja raciste. Ne qëndrojmë krah për krah kundër një terrori të tillë”.

Kryeministri australian, Scott Morrison bëri fjalë të premten në mëngjes për një sulm të kryer nga një “terrorist ekstremist, me orientim të djathtë dhe të dhunshëm”. Ai tha se ai ishte një qytetar i lindur në Australi.

Ndërsa në një fjalim në televizion, kryeministrja Jacinda Ardern e quajti këtë sulm si një “nga orët më të errëta të Zelandës së Re”. . “Në Zelandën e re nuk ka vend për dhunë ekstremistësh…ne nuk jemi të tillë”, tha Ardern. U sulmuam sepse “përfaqësojmë diversitetin”, tha Ardern.