Kosova Franca shtyn sërish vendimin, Ramush Haradinaj: Turp, jam peng politik

Franca shtyn sërish vendimin, Ramush Haradinaj: Turp, jam peng politik

Gjykata e Apelit në Francë ka vendosur që të shtyjë për në datë 6 Prill vendimin për kërkesën e Serbisë për ekstradimin e Ramush Haradinajt duke i dhënë edhe një muaj kohë Beogradit për prova të reja.

Para trupit gjykues në Francë, Haradinaj është shprehur se është një peng politik.

Gjykata i ka dhënë edhe 1 muaj shtesë autoriteteve serbe për informata shtesë. Ky është abuzim politik, turp. Lufta e UÇK-së është filtruar në Gjykatën e Hagës, unë kam mbetur peng politik”, tha Haradinaj.

Ramush Haradinaj ndodhet në liri me kusht, ndërsa Serbia kërkon ekstradimin e tij pasi e akuzon për krime lufte.

Në gjykatën franceze në seancën e sotme ishin një numër i madh shqiptarët në mbështetje të tij, që kërkonin lirimin.

Haradinaj është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, por urdhër arresti nuk është fshirë nga Interpol duke bërë që kreu i AAK të arrestohet në fillim të vitit në Francë, ndërsa Beogradi deklaron se ka prova të reja kundër ish-komandantit të UÇK.

Nëse gjykata e Apelit në Francë do të rrëzojë kërkesën për ekstradim, Serbia nuk ka mundësi për apelimin, por nëse pranohet kërkesa atëherë fjalën e fundit do ta thotë qeveria franceze.