Bota Freski nga veriu: Njihuni me ministren e pazakontë të Kulturës në Suedi

Freski nga veriu: Njihuni me ministren e pazakontë të Kulturës në Suedi

Qeveria e re suedeze ka 22 anëtarë – 12 gra dhe 10 burra. Më e reja ministre është 38-vjeçarja Amanda Lind. Ajo bie në sy jo vetëm me stilin dreadlocks të flokëve. Lind dëshiron të punojë me pasion për kulturën dhe premton se do të angazhohet që mediat e pavarura të jenë edhe më të pavarura dhe të forcohet gazetaria hulumtuese. Ajo adhuron librat me stripa dhe ka qejf t’i bie fyellit.

Nga Enver Robelli

Qeveria e re suedeze ka marrë detyrën të hënën, pasi kryeministri i deritanishëm dhe i ardhshëm Stefan Löfven ka prezantuar anëtarët e kabinetit. Pas një takimi në Kështjellën e Stockholmit Mbreti Carl XVI Gustaf e shpalli zyrtarisht qeverinë e re. Socialdemokratët si parti kryesore e koalicionit do të kenë 17 ministra, të Gjelbrit – të prirë nga ministrja e Ambientit dhe zëvendësministrja Isabella Lövin – pesë resore. Shumica e anëtarëve të qeverisë janë gra (12), ndërsa burrat drejtojnë 10 ministri. Ministrja më e re është Amanda Lind, 38-vjeçare. Po këtë moshë ka edhe ministrja për barazi gjinore Åsa Lindhagen. Ministri më i moshuar është ish-ambasadori i Suedisë në OKB, Hans Dahlgren, 70-vjeçar. Ai do të jetë ministër për Europë. Ministre e Jashtme mbetet Margot Wallström, Magdalena Andersson do të vazhdojë të drejtojë ministrinë e Financave, ndërsa Morgan Johansson do të udhëheq drejtësinë.

Stefan Löfven ka qenë kryeministër nga viti 2014. Pas zgjedhjeve të fundit ai zhvilloi me muaj të tërë negociata për të krijuar një qeveri të re. Kjo qeveri do të jetë e pakicës dhe do të përkrahet nga liberalët dhe partia e qendrës. Löfven paralajmëroi një reformë të sistemit të taksave dhe paralajmëroi një angazhim më të madh kundër ndryshimeve negative klimatike. Kryeministri socialdemokrat tha se Suedia do të jetë vendi i parë në botë pa lëndë djegëse fosile (si qymyri, nafta dhe gazi natyror). Pas vitit 2030 në Suedi nuk do të shiten më vetura me motor me lëndë djegëse.

Më së shumti në opinionin suedez ka ngjallur befasi zgjedhja e Amanda Lind në postin e ministres së Kulturës, e cila ka qenë sekretare e partisë së Gjelbër. Lind tha se ishte e befasuar dhe nderuar kur dëgjoi lajmin se do të jetë ministre e kulturës. Ajo premtoi se do të punojë me pasion në dikasterin për të cilin do të jetë përgjegjëse në të ardhmen. E lindur në vitin 1980, Lind është psikologe me profesion.

Ajo premtoi se do të punojë që në fushën e kulturës të mbretërojë barazi edhe për fëmijët dhe të rinjtë, gjithashtu Lind tha se do të angazhohet për forcimin e demokracisë, pavarësinë edhe më të madhe të mediave të pavarura, për gazetarinë hulumtuese dhe për të drejtat e pakicave dhe për samët indigjenë. Para tri vitesh Amanda Lind i tha portalit Yippie Härnösand se i pëlqejnë librat me stripa dhe se ka qejf t’i bie fyellit.

Në deklaratën e qeverisë së kryeministrit Löfven theksohet se në Suedi edhe më tutje hyrja në muze do të jetë falas. Kabineti premtoi investime në bibliotekat e shkollave dhe hapjen e një muzeu të Holokaustit. Löfven tha se qeveria do të kujdeset për përmirësimin e sigurisë ekonomike të artistëve dhe punëtorëve të kulturës. Amanda Lind, nënë e dy fëmijëve, është e martuar me regjisorin dhe artistin Björnola Lind.