Aktualitet Fridman Xhaferraj u vra për larje hesapesh

Fridman Xhaferraj u vra për larje hesapesh

Vrasja e 25-vjeçarit Fridman Xhaferraj, i cili u gjet i pajetë në rezervuarin e Gjançit dyshohet të ketë ndodhur në Korçë. Një burim zyrtar në prokurorinë e qytetit pohoi se grupi hetimor ka siguruar prova dhe dëshmi të cilat ngrenë dyshime se Xhaferraj është vrarë në Korçë dhe me pas trupi i tij është hedhur në rezervuarin e Gjançit.

Për organin e akuzës, e cila ka marrë në dorë hetimet, 25-vjeçari është ekzekutuar për larje hesapesh, për shkak të konflikteve të mëparshme. Hetimet janë shtrirë edhe në Lushnjë dhe Fier, pasi dyshohet që në vrasje të jenë përfshirë edhe persona të tjerë.

Fridman Xhaferraj rezulton të jetë larguar nga shtëpia në datën 22 Maj, një ditë pas ndryshimit të masës së sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie.

Policia e Korçës dhe ajo e Fierit zbuluan se viktima së bashku me dy autorët e identifikuar dhe të shpallur në kërkim kanë udhëtuar së bashku në drejtim të Korçës dhe kanë qëndruar në një hotel për disa ditë.

Trupi i pajetë i Xhaferraj u gjet në 13 qershor në rezervuarin e Gjançit, ndërsa vrasja dyshohet të jetë kryer rreth dy javë para se të gjendej trupi.