Bota Frika nga virusi misterioz kinez, Serbia shton kontrollet në aeroport

Frika nga virusi misterioz kinez, Serbia shton kontrollet në aeroport

“Serbia do të kontrollojë të gjithë pasagjerët që mbërrijnë në aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd përmes kamerave termike dhe është e gatshme të vendosë në karantinë këdo që është i prekur nga koronarovirusi i ri”, kështu deklaroi ministri serb i Shëndetësisë, Zlatibor Loncar pas panikut në shtim për virusin e ri që është shfaqur në Kinë dhe po përhapet me shpejtësi.

Deri tani nuk raportohet asnjë shtetas serb i infektuar nga ky virus që shkakton infeksion të rëndë në mushkëri, i cili origjinën e ka nga qytetin kinez i Wuhan dhe mund të përhapet mes njerëzve.

Mijëra shtetas kinezë jetojnë dhe punojnë në shtetin ballkanas dhe më shumë se 100 mijë turistë kinezë e vizituan ata gjatë vitit 2019.

Ministri Loncar shton se persona që do të shfaqin temperaturë të lartë do të vendosen në karantinë dhe transferohen në Klinikën e Sëmundjeve Ngjitëse për monitorim të mëtejshëm.

Ai paralajmëroi qytetarët serbë që të shmangin udhëtimet në zonat e infektuara, megjithatë i siguroi ata se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të përballuar një epidemi të mundshme nga ky virusi i ri, i ngjashëm me SARS.