Kryesore Frikë nga drejtësia? Përgjigjet Basha

Frikë nga drejtësia? Përgjigjet Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u paraqit sot në prokurori në lidhje me çështjen e lobimit të PD-së në SHBA.

Në dalje, gjatë një prononcimi për mediat, Basha iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse kishte frikë nëse drejtësia do të vepronte edhe mbi të.

“Këtu ku jemi ka plot njerëz të frikësuar, disa sapo i takova, por unë nuk jam një prej tyre”, tha Basha.

Për sa i përket çështjes së lobimit në SHBA, lideri i opozitës tha se, “Prokuroria nuk ka asnjë fakt, nuk ka asnjë provë ndryshe apo shtesë që nga 25 Maji kur unë isha këtu për herë të fundit. Zyrtarisht komunikuan që nuk kanë asnjë gjë të re që nga 25 Maji. Kjo për një arsye të thjeshtë sepse kjo akuzë është montuar më zyrën e Edi Ramës, për llogari të Edi Ramës. U njoha me akuzën që nuk është akuzë, sepse nuk ka asnjë fakt, asnjë provë, s’ka asnjë dokument të falsifikuar në dosje, asnjë transaksion për pastrim parash, nuk ka asnjë rus të vetëm, nuk ka asgjë, pra është një akuzë e formuluar me një qëndrim, t’ju shpërqendrojnë ju dhe qytetarët nga skandalet që kanë plasur të Bild dhe skandalet që do të plasin nesër nga Bild që demonstrojnë ku e ka katandisur shtetin Edi Rama.

Është një çështje e montuar në zyrën e Edi Ramës, nuk ka asnjë ndryshe nga 25 Marsi kur kam qenë herën e fundit këtu.  Kam qenë pse herë këtu. Herën e parë kur plasi skandali i Saimir Tahirit, herën e dytë kur plasi skandali i Geron Xhafës, herën e tretë më thirrën kur plasi skandali i Rrahman Rrajës dhe Taulant Ballës, herën e katërt më thirrën kur plasi skandali i Vangjush Dakos, kjo është hera e pestë. Sa herë plasin skandalet e kësaj qeverie këta riaktivizonin një dosje ku nuk ka asnjë fakt, asnjë provë për një arsye të thjeshtë është montuar në zyrën e Edi Ramës për llogari të Edi Ramës”, tha kreu i PD-së.

Nëse Lulzim Basha do ta refuzonte deri në 20 Qershor të paraqitej në prokurori, të premten organi i akuzës kishte urdhëruar shoqërimin e tij.