Bota Frikë nga rikthimi i pandemisë, Koreja e Jugut rimbyll shkollat, Rusia dyfishon...

Frikë nga rikthimi i pandemisë, Koreja e Jugut rimbyll shkollat, Rusia dyfishon shifrat

Ndërsa Europa është duke dalë nga izolimi dhe duke raportuar shifra pozitive, pandemia duket se po shkakton sërish frikë në Korenë e Jugut ku janë rimbyllur më shumë se 200 shkolla të cilat i janë kthyer mësimit online.

Edhe Autoritetet e Moskës kanë dyfishuar numrin zyrtar të vdekjeve nga Covid-19 për muajin prill. Departamenti shëndetësor i kryeqytetit rus rishikoi bilancin, duke thënë se jetët e humbura gjatë muajit prill janë mbi 1500 dhe jo 639 sa pretendohej. Rusia ka aktualisht rreth 380 mijë raste të konfirmuara me koronavirus, duke u renditur e treta pas Shteteve të Bashkuara dhe Brazilit. Por, pavarësisht numrit të lartë të infektimeve, bilanci zyrtar flet për vetëm 4 100 viktima.

Qeveria pretendon se programi masiv i testimit në vend është përgjegjës për nivelin e ulët të vdekshmërisë, por shumë besojnë se shifra është shumë më e lartë. Edhe me rishikimin e bilancit në Moskë, niveli i vdekshmërisë në qytet mbetet nën 3%.

Drejtori rajonal i OBSH për Evropën, dr. Hans Kluge  shprehet se është e pashmangshme një valë e dytë e virusit dhe një skenar i tillë nuk mund të përjashtohet.

Ai shton se është normale që shtetet t’i rikthehen jetës, por duhet të kihen parasysh të dhënat epidemiologjike dhe t’i kushtohet rëndësi tri elementëve; higjienës respiratore, distancës fizike dhe larjes së duarve.

Sipas të dhënave më të fundit nga universiteti “John Hopkins” në nivel global rreth 6 milionë njerëz janë të infektuar me koronavirus, ndërsa mbi 359.000 persona kanë humbur jetën.