Bota Frikë nga virusi, pjesëmarrje e ulët dhe brohoritje në tubimin e Presidentit...

Frikë nga virusi, pjesëmarrje e ulët dhe brohoritje në tubimin e Presidentit Trump

Presidenti Donald Trump mbajti një tubim fushate në Tulsa të Oklahomës të shtunën në mbrëmje, i pari që kur filloi pandemia e koronavurusit.

Aktiviteti kishte si synim të ishte një demonstrim force politike për të mobilizuar bazën para zgjedhjeve të nëntorit, por u karakterizua nga frika për koronavirusin dhe një pjesëmarrje më e ulët nga ç’pritej.

Presidenti Trump tha se “shumica e heshtur është më e fortë se kurrë më parë”, dhe i quajti përkrahësit e tij “luftëtarë”. Ai foli për tema të njohura të fushatës, përfshirë për emërimin e gjyqtarëve konservatorë, taksa të ulëta, fuqizimin e bursës, murin në kufirin jugor me Meksikën dhe rritjen e buxhetit për ushtrinë. Fjalimi që zgjati 1 orë dhe 40 minuta, ishte i mbushur me sulme ndaj rivalit të tij demokrat në fushatën presidenciale, Joe Biden, “të majtës radikale” dhe “lajmeve të rreme”.

Zoti Trump e mbrojti menaxhimin e pandemisë nga ana e administratës së tij, duke fajësuar për shifrat e larta – mbi 2.3 milionë raste me koronavirus dhe 121 të vdekur në gjithë vendin – numrin e lartë të testimeve.

“Kur bën aq shumë testime, do të gjesh më shumë raste. Prandaj u thashë njerëzve të mi: ndadalësojeni testimin, ju lutem”, tha zoti Trump duke shtuar se administrata e tij “ka shpëtuar mijëra jetë”.

Ndërsa Presidenti Trump i është referuar shpesh koronavirusit si “virusi kinez”, për herë të parë e karakterizoi atë publikisht si “kung fu” dhe fajësoi Pekinin për pandeminë.

Duke tallur thirrjet nga disa pjesëtarë të së majtës për t’i hequr buxhetin policisë, zoti Trump iu rikthye shprehjes së ngakuar racore “hombre.”

“Është ora 1 e mëngjesit. Një hombre i fortë hyn nga dritarja dhe një grua që nuk e ka të shoqin në shtëpi, telefonin policinë dhe ata thonë: më falni ky numër nuk funksionon më “, tha ai.

Në një fjalim përqendruar kryesisht tek çështjet e brendshme, zoti Trump lavdëroi veten për vrasjen e udhëheqësit të ISIS-it Abu Bakr al-Baghdadi dhe gjeneral majorit të Gardës Revolucionare iraniane Qassem Soleimani. Ai e përmendi Kinën të paktën 11 times, kryesisht në kontekstin e fajësimit për pandeminë dhe luftën tregëtare dhe duke e quajtur kandidatin demokrat presidencial Joe Biden “një kukull të Kinës”.

Presidenti nënvlerësoi lëvizjen Black Lives Matter dhe mbulimin nga media të protestave pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd më 25 maj në duart e oficerëve të policisë.

“Ata asnjëherë nuk flasin për COVID-in. Sheh 25 mijë vetë të ecin në Nju Jork ose në rrugë të qyteteve të drejtuara nga demokratët dhe nuk dëgjon kurrë të flitet se ata nuk kanë veshur maskë”, tha ai.

Duke sulmuar lëvizjet në gjithë vendin për heqjen ose zëvendësimin e monumenteve që nderojnë gjeneralët e konfederatës, zoti Trump u tha përkrahësve:

“Kjo fushatë mizore censure dhe përjashtimi dhunon çdo gjë që është e shtrenjtë për ne si amerikanë. Ata duan të shkatërrojnë trashëgiminë tonë, që të vendosin që një regjim të ri shtypës në vend të tij”, tha ai.

Pjesëmarrje më e ulët nga ç’pritej

Fushata e zotit Trump anulloi fjalimet e Presidentit dhe nënpresidentit Mike Pence për përkrahësit jashtë qendrës BOK, ku u mbajt tubimi, pasi pjesëmarrja dukej të ishte më e ulët nga ç’ishte pritur. Fushata i kishte trumbetuar me forcë fjalimet e secilit prej tyre, për ta vënë theksin tek pjesëmarrja masive që pritej në Tulsa.

Steve Phillips, themelues i organizatës “Democracy in Color”, fokusuar tek raca dhe politika tha se pjesëmarrja ishte shumë e ulët, duke shtuar se përpjekja e zotit Trump për t’u mbështetur tek nacionalizmi i bardhë dhe frika racore, po dështon.

“Edhe mbështetësit e tij më besnikë nuk duan të hyjnë në një sallë vdekjeje të COVID-19-ës, vetëm për të ushqyer egon e zotit Trump dhe për ta bërë atë të ndjehet më mirë”, tha ai.

Fushata fajësoi protestuesit dhe median për pjesëmarrjen e ulët.

“Për fat të keq, protestuesit ndërhynë tek përkrahësit, duke bllokuar qasjen tek detektorët metalikë, duke mos lënë njerëzit të hyjnë. Protestuesit radikalë dhe sulmet pa pushim të medias, u përpoqën të frikësojnë përkrahësit e presidentit”, tha zëdhënësi i fushatës Tim Murtaugh në një deklaratë para aktivitetit.

“Nuk ka dyshim që COVID-19 luajti rol në pjesëmarrjen e ulët. Por nëse zoti Trump nuk mbush dot një sallë në një shtet ku fitoi me shumicë dërrmuese, të bën të vrasësh mendjen se si mund të dalë në shtetet e pavendosura që janë kthyer kundër tij”, thotë Larry Sabato, drejtor i Qendrës për Politikë në Universitetin e Virxhinias.

Megjithatë turma brohoriti për zotin Trump, që u shfaq energjik dhe i etur për të konsoliduar një përpjekje për rizgjedhje që është frenuar nga pandemia dhe demonstratat në gjithë vendin kundër racizmit.

Frika nga pandemia

Fushata u kontrolloi temperaturën të gjithë atyre që do të hynin në qendrën me kapacitet prej 19 mijë vetësh, para se të kalonin përmes masave të sigurisë. Atyre ju ofruan edhe maska nëse donin. Por shumë prej mijëra mbështetësve të Presidentit Trump nuk mbanin maska ndërsa brohorisnin pranë njëri-tjetrit.

Josie Saltarelli, një ndihmësmjeke 38 vjeçare nga Tulsa tha se nuk ishte e shqetësuar nga koronavirusi.

“Njerëzit vdesin nga shkaqe të tjera gjithë kohës”, tha ajo.

Gjykata e Lartë e Oklajomës të premten hodhi poshtë një kërkesë nga banorët që pjesëmarrësit të ishin të detyruar të mbanin maska për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, duke arritur në përfundimin se banorët nuk kishin një të drejtë të qartë legale për ta kërkuar një gjë të tillë.

Para tubimit, gjashtë anëtarë të stafit të fushatës së Presidentit që po ndihmonin me përgatitjet e tubimit, rezultuan pozitivë për koronavirusin.

Murtaugh zëdhënësi i fushatës tha në një deklaratë se “procedurat e karantinës” u zbatuan menjëherë dhe se asnjë nga punonjësit e fushatës që rezultuan pozitivë nuk do të merrnin pjesë në tubim. Ai tha se as personat që kishin pasur kontakt direkt me ta, nuk do të merrnin pjesë.

Në një konferencë për shtyp të mërkurën, kryebashkiaku republikan i qytetit G.T. Bynum, tha se nuk do të merrte pjesë në tubim mes frikës për koronavirusin.

Pjesëmarrësit duhet të nënshkruanin një dokument kur regjistroheshin në internet, ku pranonin se “merrnin përsipër çdo rrezik lidhur me ekspozimin ndaj COVID-19 dhe nuk konsideronin përgjegjës fushatën e Donald J. Trump për President; Qendrën BOK; firmën ASM Global; apo çdo degë, drejtor, zyrtar, punonjës, kontraktor apo vullnetar të tyre për çdo sëmundje apo lëndim”./VOA